Ledio Pano, një emblemë e klubit Partizani, ka bërë bilancin e këtyre javëve të para të Superiores duke u fokusuar pikërisht te paraqitja e të kuqve që kryesojnë renditjen. Duke folur për “Sport News” në “News 24”, ai ka shpjeguar gjatë bashkëbisedimit me moderatoren Trevisa Tufa se ekipi kryesonte, por kishte shumë për të përmirësuar.

“Është një tetëjavësh që të them të drejtën është i kënaqshëm, nga të gjithë ekipet. Të bukur e ka bërë Erzeni, Bylisi, ekipe të vogla në thonjëza që kanë bërë maksimumin dhe kanë bërë rezultat pozitiv edhe me të mëdhatë.

Të flasësh për Partizanin dhe të thuash gjëra të tjera është e kotë për sa kohë që është në vendin e parë. Ne që kemi qenë pjesë e klubit dhe në njëfarë mënyre do të jemi gjithmonë, sigurisht kërkojmë diçka më tepër se na bën historia e këtij klubi të kërkojmë. Në përgjithësi Partizani ka luajtur mirë, në ndeshje me cilësi e aksione të rrjedhshme dhe vetëm finalizimi ka munguar, edhe pse ka një Skukë ku gjithë barra e ekipit ka rënë te ai. Por nuk ka qenë ai i Skuka i vjetshëm, në formën që pritnim. Ndoshta përgjegjësia që ka rënë mbi supet e tij, ka bërë që edhe këmbët të mos i binden.

Partizani është një ekip që ka potencialin për të luftuar deri në fund të kampionatit. Ajo që kam dilemë është menaxhimi që do t’i bëhet për të qenë të parët në finish. Ky është ekip me djem të rinj të sapoformuar me shumë hyrje-dalje që e kam thënë që nuk është e mirë, por ata që merren me ekipin po mundohen besoj që të bëjnë një ekip kompetitiv për kampionatin.

Duket sikur ka probleme sulmi se janë të varur të gjithë nga Skuka, por ka lojtarë të mirë. Është Cara që për mendimin tim është ndër ata që mund të hyjë në zonë, merr penallti, mund të godasë portën, të pasojë. Ai është lojtar që i duhet sulmit, por edhe Da Silva, pavarësisht oshilacioneve të veta. Besoj se është lojtar me potencial, i vlefshëm për ekipin, është Hoti një lojtar që ka ardhur nga Tirana por me dëmtimet që ka kaluar, ka bërë që të mos jetë në 100%.

Ajo që më shqetëson është qendra e mbrojtjes, për mua nuk është më Bitri që ka qenë, ai Bitri luftarak që mbante i vetëm mbrojtjen. Duke u graduar kapiten duket sikur i ka hipur pak vetja në qejf e bën gjëra që e nxjerrin zbuluar.

Mesfusha është potente, edhe pse ndoshta Murataj nuk është ai lojtari cilësor që duhet, se duke pasur Matondon me potencial aty… Por duhet të lidhen, duhet të kenë kiminë e tyre për t’u lidhur e dhënë akoma më tepër”, tha ndër të tjera Pano.

“Krahasimi me Tiranën? Unë e kam thënë që Tirana ka një stil tjetër loje. Nëse Partizani është më i fuqishëm, rrjedhshëm, vrapon dhe ka ritëm më të lartë, te Tirana janë më tepër cinikë. Mesfusha dhe sulmi ka lojtarë cinikë me teknikë të mirë dhe shpejtësi, lidhen me njëri-tjetrin. Xhixha me Seferin shërbenin njëri-tjetrin e shënonin. Xhixhën këtë vit e shohim me Hasanin por edhe me brazilianin i cili edhe pse nuk është në 100% duket që ka teknikë e shpejtësi, por nuk është futur ende në lojën e ekipit. Tirana ka diçka që nuk e ka Partizani, ka lojtarë teknikë që luajnë poshtë me pasin e shkurtër dhe të shpejtë. Janë më të saktë ndaj Tiranës i kanë dalë aksionet e rrjedhshme. Edhe në derbi me një pas të gjatë për Xhixhën e gabimin e portierit mundi të shënojë. Janë më të saktë te Tirana dhe janë më cinikë.

Partizani duhet të ndërrojë marrëdhënien që duhet të kenë lojtarët e sulmit me njeri-tjetrin se i shoh shumë të angazhuar për të shënuar vetë, nuk shërbejnë, nuk janë altruistë. Shohim Skukën larg portës që e merr topin e bën veprime që duhet të bëjë në zonë. Por puna është e mesfushorëve dhe të tjerëve që t’i shërbejnë për të shënuar. Kemi parë që ka bërë gola duke marrë topin nga mesfusha për të shënuar, ai e ka potencialin, por duhet të mësohet që ka potencial të fortë brenda zonës dhe duke iu servirur do të jetë shumë i gatshëm për të shënuar.

Efekti derbi te gara? Patjetër ndikimi më i madh është nga ana psikologjike, nuk është nga pikët. Nëse Partizani do të fitonte me Kastriotin, do të ishte përsëri tre pikë para, edhe pse humbi në derbi. Sigurisht derbi është ndeshja kryesore dhe merr përqindjen më të madhe të aspektit psikologjik, por nuk është gjithçka vetëm derbi. Unë them kujdes me të voglat se ekipet e mëdha kanë pasur mentalitet që të voglat munden, Partizani ka lënë pikë dhe ndoshta i ka neglizhuar, por edhe nga ana e altruizmit të këtyre futbollistëve.

Krahasimi mes sezoneve? Të them të drejtën, sezoni i kaluar ishte një ku kishte shumë ekipe që luajtën në fusha jashtë si Kukësi, Egnatia, Egnatia, Teuta, Partizani ka vite që luan jashtë. Ishin shumë fusha në rikonstruksion dhe u bë një kampionat ndoshta i lodhshëm. Sivjet është i ndryshëm, ekipet kanë fushat e tyre përveç Erzenit dhe besoj se është më i mirë se sa i vjetshmi. Por jo ku duhet, në nivelin që duhet të ketë Superiorja. Niveli i kampionatit duket te lojtarët që ke në Kombëtare. Sa më i lartë numri, aq më i lartë niveli i kampionatit. Kur shumica apo të gjithë luajnë jashtë, atëherë edhe niveli nuk është ai që duhet të jetë”, u shpreh Pano.