Real Madridi ka nevojë për lojtarët më të mirë dhe duhet të nënshkruajë me yllin e PSG-së, Neymar, sipas brazilianit të madh, Ronaldo.

Neymar bëri një transferim rekord prej 222 milionë eurosh nga Barcelona te PSG-ja verën e kaluar, duke nënshkruar një marrëveshje deri në vitin 2022 me gjigandët e Ligue 1.

Pavarësisht nga kjo kontratë, 26-vjeçari vazhdon të jetë i lidhur me një lëvizje tjetër të madhe, në “Santiago Bernabeu”.

Ronaldo, i cili kaloi më shumë se katër sezone në Madrid, tha se ish-klubi i tij gjithmonë kërkon të nënshkruajë me më të mirët dhe kjo përfshin edhe Neymarin.

“Neymar është një lojtar i shkëlqyer, ndoshta ai do të jetë më i miri në botë për pak vite. Real Madridi ka nevojë për më të mirën”, – tha ai të mërkurën, nëpërmjet “Marca”.

Pavarësisht nga spekulimet, Ronaldo ka shtuar zërat për një lëvizje të mundshme të Real Madridit drejt Neymar.

Fituesi i dyfishtë i Kupës së Botës beson se “Los Blancos”, të cilët janë të katërtit në La Liga dhe 19 pikë pas Barcelonës, ndoshta mund të fitojnë për herë të tretë radhazi Ligën e Kampionëve, përkundër problemeve të tyre në këtë sezon.

“Unë nuk kam dëgjuar ndonjë përfaqësues zyrtar të Real Madridit, që të thotë ndonjë gjë për Neymar, – tha Ronaldo.

– Ata duhet të mendojnë për atë që kanë dhe këtë sezon është e vështirë për Real Madridin. Duhet të vazhdojnë betejën dhe të përfundojnë sa më mirë.

Liga e Kampioneve është një kompeticion ku ata bëjnë mirë, ndaj le të shohim se si do ta përfundojnë, sepse gjithçka ndryshon shumë shpejt në futboll”.

Për të fituar Ligën e Kampionëve, megjithatë, “Los Blancos” do të duhet të kalojnë përmes Neymar dhe PSG-së në raundin e radhës. Ndeshja e parë e këtij çifti është vendosur të luhet në “Santiago Bernabeu”, më 14 shkurt./telesport/