Barazimi i djeshëm 0-0 ndaj Apolonisë, e ka shtyrë festën e titullit të shtatë kampion të Vllaznisë. Në kampin shkodran në fakt ishin përgatitur për fitore, megjithatë diçka nuk shkoi ashtu si duhet, ndonëse loja ka qenë e dominuar nga ekipi kuqeblu gjatë të gjithë 90 minutave.

Duke folur në lidhje me këtë ndeshjes, trajneri Nikolin Leka për “SHKODRA SPORT” do të shprehej:

“Të them të drejtën festa e titullit vërtetë u shty pak në kohë, megjithëse ne jemi brenda objektivit tonë. Faktikisht unë nuk jam i kënaqur me rezultatin që arritëm ndaj Apolonisë. Vajzat djersitën shumë, krijuan raste, por nganjëherë është edhe fati brenda dhe këtë herë nuk ishte në anën tonë.

Festa kësisoj u shty për të mërkurën, edhe tre ditë janë dhe padyshim që ajo festë të cilën kishim parashikuar, do ta realizojmë sepse jemi brenda objektivit tonë”.

Pyetja që lind është ajo se çfarë nuk shkoi në lojën e kampioneve në fuqi të vendit? Numri 1 i pankinës së kësaj skuadre përgjigjet: “Vajzat ndoshta në ndeshjen ndaj Apolonisë nuk ishin shumë të qarta në veprime dhe sidomos në momentet e fundit, ato para portës kundërshtare. Unë sërish nuk dua t’i fajësoj, sepse ato dhanë maksimumin e tyre, por e përsëris, në momente të veçanta, duhet të jenë më të qarta para portës”.

A është Apolonia një rivale tashmë e denjë e Vllaznisë? Trajneri Leka përgjigjet: “Ndoshta rezultati e tregon se Apolonia është një rival i fortë për ne, por fusha e lojës tregoi krejt të kundërtën, pavarësisht se nuk arritëm të shënojmë dot gol. Vllaznia s’mund te krahasohet me askend””
www.shkodrasport.com