Shumë zhurmë ditët e fundit rreth ndeshjes Bylis- Tirana dhe opinioni sportiv shqiptar duket nuk pret ndonjë vendim të ashpër të FSHF-së ndaj këtyre ekipeve. Gazetari i njohur sportiv Pirro Ruvina në një intervistë për “Shkodra Sport” ka folur jo vetëm për këtë çështje, por edhe problematikën e Vllaznisë, megjithëse në fund është shprehur optimist se ajo nuk do të shkojë në play-out. Ja çfarë ka thënë ai për gazetën tonë:

– Ruvina, shumë zhurmë në lidhje me ndeshjen Bylis-Tirana. Realisht, mendoni se ka trukime në futbollin shqiptar?

– Të thuash jo, nënkuptohet po. Të thuash po, nënkuptohet jo. Jo çdo gjë që thuhet, kuptohet ashtu si duhet. Që kishte diçka në Ballsh, këtë e pa edhe bufi. Por që gëzohet një person i tretë, këtë e di edhe bufi. Në fakt nuk është se ka filluar drejtësia dhe ëktu mbaron drejtësia. Këtu sa ndodh një skandal, harrohet shpejt se ndodh një skandal tjetër. Ky kampionat siç nisi, siç u zhvillua në këtë pandemi botërore, kështu do të mbarojë.

– Një Tiranë që duket pranë titullit kampion. E meriton atë?

– Mënyra se si u bë në jubileun e 100-të, u duk sikur u luajt për Tiranën. Në mënyrën si u bë në Shkodër dhe jo për faj të Shkodrës, në jubileun e 100-të, Vllaznia ra. Kësaj i thonë, ca të nënës, ca të njerkës, kjo tashmë dihet. Për sezonin aktual, si do të që të ndodhi, Tirana është kampione.

– Ndërkohë, çfarë mendon për këtë Vllazni që vazhdon të vuajë?

– E kam thënë edhe diku tjetër se Vllaznia aktuale ka nevojë për një “Skënderbe” dhe jo për një “Hamza”. Duhet të mendohet gjatë për këtë skuadër. Harxhohet shumë, kur nuk ka nevojë të harxhohet aq shumë dhe në fund, ai që merr përsipër, të paktën në 2-3 rastet e fundit, e lë skuadrën në baltë.

Jam dakord me të gjithë ata specialistët shkodranë që thonë se disa trajnerë as nuk duhet të hyjmë më në Shkodër. E kam fjalën këtu për atë trajnerin tiranas që e la Vllazninë në rrugë, për këtë maqedonasin që e la punën e tij përgjysëm. Duhet menduar për një zgjidhje afatgjate, pse jo edhe për një trajner shkodran, edhe për një tiranas, por që ta dojë Vllazninë.

– Rrezikon sivjet Vllaznia?

– Për mendimin tim jo.

– Por, janë edhe pesë ndeshje deri në fund, nuk ka shumë kohë për të rikuperuar…

– Pesë ndeshje, por do të thosha se do të ketë hapa fallco nga skuadrat që janë më lart në renditje. Vllaznia me pak kujdes duhej të ishte në zonën europiane sivjet, por u nxitua shumë dhe u morën shumë me emra e gjëra të tjera. Kjo edhe sepse të ketë një skuadër pa drejtor teknik, kjo është e tmerrshme dhe asnjë nuk mban përgjegjësi.

Nga ana tjetër unë do të thosha se Vllaznia duhet të jetë më fatlumja sepse ka Bashkinë e Shkodrës e cila ka harxhuar aq shumë për të, por të tjerët nuk i janë përgjigjur me punën e tyre. Kryetarja e Bashkisë që është edhe presidentja e ekipit, nuk mban përgjegjësi për formacionin e gjëra të tjera. Kujdesi i Bashkisë ka qenë maksimal, ndërsa të tjerët, “nxjerrin gështenja me duart e të tjerëve”.
www.shkodrasport.com