Vllaznia në futboll për femra luan të enjten e 9 shtatorit ndeshjen e dytë të turit të dytë të Ligës së Kampioneve të Europës duke qënë mysafire në Torino për të luajtur ndaj Juventusit vendas. Italianet dolën fituese të ndeshjes së parë të luajtur në “Loro Boriçi” me rezultatin 0-2.

Lidhur me situatën në kampin kuqeblu të kësaj pragndeshje, e cila do të luhet në stadiumin “Juventus Training Ground” të Torinos duke fillaur nga ora 20.00 ka folur trajneri i Vllaznise Nikolin Leka i cili eshte shprehur:

“Jemi munduar që gjatë kësaj jave të bëjmë disa riparime të vogla brenda ekipit, sepse tashmë i dimë më mirë pikat e dobëta dhe të forta të Juventusit. Gjithçka do t’ia lëmë fushës së lojës, ne nuk do shkojmë të dorëzuar, por do të futemi në fushë për të bërë lojën tonë dhe do t’i marrim më të mirën e mundshme asaj ndeshje.

Në ndeshjen e parë patët probleme me mungesën e tre titullareve, Bajraktari dhe Rrahmani të dëmtuara si dhe Berisha me Covid 19. A do të jenë të gatshme për këtë ndeshje këto futbolliste? Bajraktari dhe Rrahmani nuk janë të gatshme sepse vazhdojnë të vuajnë dëmtimin, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës është gati. Sot, kemi bërë testet Covid 19 dhe shpresojmë që mos të kemi penalizime me ndonjë futbolliste tjetër në mënyrë që të mos kemi mungesa të tjera”.

Ne lidhje me objektivin e ekipit shkodran ne kete ndeshje, trajneri Leka eshte shprehur: “Një gol i shpejtë i joni në Torino do të na e shtonte jashtë mase moralin për të kërkuar më shumë. Ne vertet jemi një ekip i ri i futbollit të femrave në Shqipëri, por të mos harrojmë se ne jemi një ekip që kemi një përvojë shumë pozitive në Champions League me disa pjesëmarrje të suksesshme. Kështu që, ne nuk i trembemi asnjë ekipi tjetër duke shpresuar gjithmonë që grupi i lojtareve të jetë i plotë dhe pa penalizime në testet e Covid 19”./SHKODRA-SPORT.COM/