Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri shënuan dy golat e fitores së Zvicrës ndaj Suedisë, në Botërorin e Rusisë. Dy shqiptarët e kombëtares helvete festuan me shqiponjë, duke mos i harruar rrënjët e tyre.

Më pas të gjithë e dinë se çfarë ndodhi, “shqiponja” e tyre mori dhenë, pushtoi mediat e krejt botës, ndërkohë që Serbia u ankua në FIFA për këtë.

Pati një gjobë financiare dhe një nismë të shqiptarëve për ta paguara ata shumën përkatëse, çka duket se ka lënë mbresa të mëdha tek babai i Granitit, i cili përmes një letre publike ka reaguar:

“Shenja e shqiponjës është si një tatuazh i gëzimit të shqiptarëve në festa, në dasma, në koncerte, në ndeshje futbolli dhe nuk ka brenda asnjë urrejtje apo madje asnjë lidhje me të tjerët.

Është thjesht një shenjë dalluese, që shqiptarët e njohin menjëherë e nuk kanë nevojë për shpjegime. Prandaj edhe jemi shumë të çuditur me reagimin e atyre që e përjetuan shenjën tonë si ofensivë për ta, apo atyre që e trajtuan si gjest politik.

Por, nuk jemi aspak të çuditur me solidaritetin e shumë shqiptarëve, që janë ndjerë keq nga keqinterpretimet e shenjës dhe kanë marrë pjesë në iniciativën e Edi Ramës për të kontribuar simbolikisht për gjobën e padrejtë që na u vu.

I falënderojmë shumë, jo për shumën, po për faktin që na kthyen 20 mijë fish gëzimin që u dhamë me shenjën e shqiponjës, pas golave”.