Nga fundi i vitit 2018 dhe tashmë kur jemi në dhjetor 2019, hallet e Luftëtarit nuk kanë ndryshuar. Përtej lëvizjeve në drejtim, problemet mbeten të njëjta. Klubi vazhdon të mos jetë korrekt në raport me pagesat ndaj lojtarëve dhe stafit. Kjo situatë ka shkaktuar kaos javë pas jave, edhe pse premtimet kanë qenë të vazhdueshme.Donald Rapo

Para ndeshjes me Bylisin ka pasur krisje edhe me kapitenin Donald Rapo. “Panorama Sport” mëson se drejtuesit vendosën që t’i hiqnin shiritin. Ai qëndroi në stol gjatë asaj transferte, për t’u aktivizuar vetëm gjatë pjesës së dytë si zëvendësues. Ky vendim për heqjen e shiritit ka ardhur për shkak se klubi ka nuhatur një kërkesë që Rapo ka bërë në FSHF për disa pagesa të prapambetura, të cilat nuk i janë shlyer duke filluar nga sezoni i kaluar.

Bëhet fjalë për një shumë prej afro 20 mijë eurosh në total, që Rapo kërkon t’i marrë duke paditur Luftëtarin në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve, në mënyrë që të dalë më pas lojtar i lirë. Vetë futbollisti, i kontaktuar nga gazeta, nuk ka pranuar të bëjë komente lidhur me këtë çështje, ndërkohë që është nën kontratë me Luftëtarin deri në verën e vitit 2020. Burime pranë futbollistit bëjnë me dije se pas janarit e ardhmja e tij mund të jetë te Laçi.

Në fakt, është përfolur shumë se në parim Rapo ka gjetur një akord me Skënderbeun, por duket se është klubi kurbinas që e ka joshur. Gjithsesi, pa u zgjidhur çështja e kontratës me Luftëtarin, lojtari nuk mund të bëjë asnjë lëvizje, pasi është ende peng i klubit.hasani fili

Nga tre golat në katër javët e para, pezullimi prej një muaji nga klubi, falja dhe si përfundim “gradimi” si kapiteni i Luftëtarit në ndeshjen kundër Bylisit. Historia e Realdo Filit në Gjirokastër tregon edhe një herë problemet që ka klubi bluzi në menaxhimin e futbollistëve dhe vetë situatës që po kalon. Përveç anës financiare, që ka qenë vazhdimisht “gangrenë” gjatë këtij viti, te Luftëtari nuk kanë ditur të administrojnë si duhet as elementët cilësorë që kanë pasur.

Ashtu si Rapo, edhe Fili është një prej lojtarëve që mund të largohet në janar, paçka se ka kontratë me klubin deri në verën e vitit 2020. Vllaznia dhe Laçi janë dy skuadrat që kërkojnë shërbimet e fierakut, i cili nuk ka mbushur ende vitin te gjirokastritët. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë tashmë, pasi nuk dihet ende se cili është plani i presidencës, që së pari duhet të shlyejë lojtarët, e më pas të mendojë për merkato.