Andin Lokaj vazhdon me deklaratat përçarëse në Kosovë, sa i përket lidhjes me Shqipërinë. “Nga nuk e dua Kombëtaren e Shqipërisë o vëlla” te “na kanë zili ne kosovarët”, këtë herë janë lojtarë shqiptarë të shumtë që shkojnë në kampionatin e Kosovës të cilët ofendohen.

Një ushtri e madhe duhet thënë sepse në vitet e fundit kanë kaluar jo pak emra. Këtë herë Lokaj i quan futbollistë të klasit të dytë që marrin pagesën dhe se duhet investuar te futbollistët brenda Kosovës e jo duke i marrë këta. Gjithashtu ka pak shpresa për një fond që mund të vijë nga UEFA për këtë rast emergjent.

“Nuk e besoj që Uefa do të ndaj fonde për klubet në Evropë, e lërë më te ne. Uefa investon në punë dhe projekte të ndryshme për gjenerata të reja.

Si çdo situatë tjetër tragjike edhe ky rasti me Covid 19 zbulon gjëra pozitive, andaj klubet tona duhet të fillojnë të mendojnë që së paku gjysmën e shpenzimeve që po arrijnë deri në 1 milionë euro për sezon, t’i shpenzojnë në punë intensive me gjeneratat e reja, e jo të paguajnë lojtarë të klasit të dytë të cilët kryesisht po vijnë nga Shqipëria e të cilat në fund të fundit nuk po bëjnë kurrëfarë impakti në futbollin tonë.

Pra klube shpenzoni në të ardhmen më shumë në talentët e qyteteve tuaja e jo në transferime të kota nga jashtë të cilat nuk po kanë sukses pothuajse asnjeherë”, tha Lokaj sipas asaj që raporton “Periskopi”. /Sport Ekspres/