Nuk kanë të ndalur polemikat mes Diego Longos dhe Marcelo Troisit. Pas “kunjave” që lëshoi braziliani, vjen radha e italianit për kundërpërgjigje. I mëshon fort faktit që ka punë shumë herë më serioze dhe të rëndësishme që të bëjë sesa të merret me paraardhësit e tij. E megjithatë, një “thumb” e jep.

E quan ish-trajnerin e Flamurtarit një mashtrues. Dhe jo në mënyrë të drejtpërdrejte, por duke e krahasuar me një tjetër brazilian. Trajneri sheh Karlos Henrike Raposo te Marcelo Troisi.

“Kaiser” njihet në historinë e futbollit si një sulmues që kurrë nuk luajti një ndeshje të plotë, edhe pse në CV ka ndërruar një mori ekipesh. Ish-sulmuesit, sot 59-vjeçar, ka ecur vetëm nëpërmjet hileve që bënte. Këto cilësi, Longo ia ka veshur Marcelo Troisit të cilin zëvendësoi te vlonjatët.

TROISI, SI RAPOSO I kontaktuar nga “Panorama Sport”, duke reaguar ndaj deklaratës më të fundit të brazilianit, publikuar në numrin e djeshëm të gazetës, Longo tha se vetëm në fund të sezonit do të flasë gjerësisht dhe do të tregojë gjithçka për atë që e quan Karlos Raposon e Vlorës.

“Më vjen keq të merrem akoma me këto gjëra, pasi jam shumë i zënë. Tani kam shumë punë serioze për të bërë. Më mirëkuptoni! Nuk kam fare kohë që të merrem tani me këto gjëra, por në fund të sezonit do të tregoj gjithçka për Karlos Raposon e Vlorës”, u shpreh shkurt 47-vjeçari.