Të gjitha kampionatet e fundit në vendin tonë dhe bashkë me to edhe stërvitjet e ekipeve jane ndalur. Kjo e diktuar nga situata e krijuar në vend, megjithatë sportistë e trajnerë janë në pritje të përmirësimit të gjendjes dhe rifillimit të punës.

Ndërkohë, trajneri i ekipit Vllaznia U19 Luan Zmijani, në këtë pauzë kampionati, gjen kohë të bëjë edhe bilancin e punës së deritanishme duke u ndalur tek fitorja e fundit me Tiranën por edhe duke bërë një krahasim me ekipin e sezonit të kaluar.

“Fitorja me Tiranen na u deshte me çdo kusht per t’u rritur edhe ne renditje dhe ia dolem. Kjo fitore kishte vlera shume te medha sepse ishte ndaj kryesueses se kampionatit, madje duke i shkaktuar humbjen e pare asaj. Kjo fitore ndaj ekipit kryesues tregon qe Vllaznia U19 ka forca por nuk mundet kurrsesi me ekipin e vjetshem sepse diferencat me te jane shume te medha.

Por gjithsesi ne do te punojme dhe do te kerkojme te ecim perpara per me arrite objektivat qe kemi per t’u futur ne play-off dhe pse jo, me qene ne gare deri ne fund per titull”- ka thene ai per “Shkodra Sport”.

Ndërkohë i pyetur se cilat do të jenë pretendimet e këtij ekipi për pjesën e mbetur të sezonit, trajneri Zmijani thotë: “Pas fillimit jo te mire te kampionatit, tashme kemi riparuar shume gjera dhe pretendimi eshte per te kapur per momentin zonen e play off-it. Kuptohet qe rendesi mbi te gjitha per ekipin tone eshte te çojme sa me shume lojtare cilesore per ekipin e pare.

Kjo ka rendesi shume te madhe, pastaj kur je ne gare kuptohet qe gjithmone synon fitoren dhe suksesin dhe prandaj do te luftojme deri ne fund dhe do te kishte qene diçka shume e bukur qe te futemi ne play- off dhe pse jo pastaj te pretendojme edhe per me lart”.

Ecuria e ekipit në ndeshjet e fundit ka qenë e mirë dhe jo më kot ai ka ardhur duke u ngjitur në renditje teksa tashmë pozicionohet në vendin e tretë të saj, megjithatë pretendimet duket se do të jenë për të bërë edhe më mirë në ndeshjet e ardhshme.
© shkodrasport.com