Skënderbeu-Vllaznia është finalja e edicion it të 69-të të Kupës së Shqipërisë që do të luhet sot, në orën 19:00, në stadiumin “Air Albania”. Ky takim përcakton verdiktin e fundit, ku korçarët kërkojnë që ta fitojnë për herë të dytë, ndërsa shkodranët duan kupën e shtatë.

Finalja e Kupës luhet me ndeshje teke dhe nëse 90 minutat përfundojnë me barazim, luhen edhe 30 minuta shtesë dhe po vazhdoi baraspesha, do të nevojitet gjuajtja e penalltive për të përcaktuar fituesin. Nga ajo që kanë dhënë dy klubet, i bie që finalja e Kupës të diskutohet nga dy surprizat e sezonit. Vllaznia dhe Skënderbeu janë klubet më të vjetra në vend, kështu që nuk mund të quhet surprizë prania e tyre në finale.

Surpriza ka të bëjë me arritjen që bënë klubet, referuar organikës që ndërtuan në fillim të sezonit, ku Vllaznia vinte pas sigurimit të mbijetesës në Superiore me ndeshje shtesë, ndërsa Skënderbeu i dënuar nga UEFA dhe pa perspektivë në Europë u ndërtua me lojtarë të rinj. Por, shkodranët nën drejtimin e trajnerit Brdariç udhëhoqën pjesën më të mirë të kampionatit dhe titulli ua mori Teuta për 4 gola.

Ndërsa, Skënderbeu, para se ta merrte trajneri Memelli quhej i rënë, por korçarët arritën të mbijetojnë edhe pa ndeshje shtesë dhe tani oreksin e kanë në Kupë. Finalja është një betejë mes dy qyteteve me traditë në Shqipëri. Në Shkodër dhe Korçë kërkojnë që sot të gëzojnë dhe ta “pinë me fund kupën”. Ky është trofeu i fundit i sezonit në elitë dhe pa dyshim që Skënderbeu dhe Vllaznia presin një fund të lumtur.

PËR ÇFARË LUHET – Skënderbeu dhe Vllaznia ritakohen në finalen e Kupës së Shqipërisë pas 56 vitesh. Kjo do të jetë hera e dytë që këto dy klube me traditë do ta diskutojnë mes tyre trofeun e Kupës. Për herë të parë dhe të fundit dy skuadrat kanë luajtur më 11 korrik të vitit 1965, ku shkodranët kanë fituar me shifrat minimale 1-0. Përveç fitimit të trofeut, dy ekipet luajnë edhe për qëllime të tjera.

Së pari, fituesi i këtij kompeticioni shpërblehet me 50 milionë lekë nga FSHF-ja, si dhe të jep të drejtën për të shkuar në Europë, por e fundit vlen vetëm për Vllazninë, pasi Skënderbeu është i pezulluar nga UEFA. Mirëpo, me fitimin e trofeut, korçarët mund të shlyejnë edhe një vit tjetër nga dënimi, kur deri tani kanë shlyer 3 nga 10 vitet.