Edhe dita e sotme ishte për t’u harruar për Vllazninë dhe tifozët shkodranë. Tirana e vendit të parë i kaloi pa problem veriorët, duke i mposhtur me rezultatin 3-0 në “Selman Stërmasi”.

Të besuarit e trajnerit Hysen Dedja u dorëzuan pa kushte në kryeqytet dhe tashmë bardheblutë janë një hap më pranë titullit. Që nga largimi i ish-trajnerit, Mirsad Jonuz, kuqeblutë kanë disa probleme serioze me mbrojtjen.

Porta e Efremov është kthyer në një tabelë qitje nga kundërshtarët, ku vetëm në katër ndeshjet e fundit kanë pësuar plot 12 gola. Para largimit të trajnerit nga Maqedonia e Veriut, Vllaznia kishte mbrojtjen më të mirë në kampionat.

Ekzaktësisht ata kishin pësuar 22 gola në 27 javë kampionat, kurse në katër ndeshjet e fundit e kanë nxjerrë 12 herë topin nga rrjeta. Veç tre golave të sotëm nga Tirana, nga dy herë Vllaznisë i shënuan Bylisi e Teuta, kurse gjëmën ua bëri Laçi me pesë gola të shënuar.

Shikohet qartë se Vllaznia ka një problem për të rregulluar, ndryshe do të duhet të mendojnë ta sigurojnë mbijetesën në Superiore përmes ndeshjes shtesë. /abcnews/