Rifillimi i kampionatit rus pas ndalesës shumë të gjatë për shkak të COVID-19, nuk ka qenë ndër më të mirët e mundshëm, pasi pandemia do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë skuadrat.

Rregulloret parashikojnë që në rast të një numri të madh të infektuarish, e gjithë skuadra të futet në karantinë dhe me këtë telash është përballur sot Rostov.

Ekipi që mban vendin e katërt në renditjen e kampionatit, luante përballë Soçi, një ndeshje të cilën në teori duhej ta dominonte ndaj një ekipi që lufton për mbijetesë. Por në fushë nuk ishte skuadra e parë, pasi të gjithë ishin të detyruar të futeshin në karantinë sespe në radhët e ekipit ishin 6 lojtarë e staf pozitivë.

Për të mos humbur ndeshjen në tavolinë e përballur me sanksione të tjera, Rostov aktivizoi skuadrën e të rinjve, me lojtarë të datëlindjes 2002 e 2003. Soçi nuk e kishte të vështirë të dominonte, duke shënuar që në minutën e parë në një ndeshje që e mbylli me fitoren e thellë 10-1.

Një situatë absurde por që rrezikon të përsëritet edhe në javët e ardhshme nëse nëpër skuadra do të ketë shumë lojtarë të infektuar si në rastin e Rostov, me renditjen që mund të pësojë përmbysje të mëdha. /vipsport/