Manchester City synon të fitojë tripletën apo tre trofetë këtë sezon dhe nëse e bën këtë do të fitojë një shumë rekord parash.Manchester United është skuadra e vetme që fitoi Ligën Premier, Ligën e Kampionëve dhe Kupën FA, në të njëjtin sezon, por 24 vjet pas arritjes së tyre të jashtëzakonshme, fqinjët e Cityt po kërkojnë të përsërisin këtë sukses.

City aktualisht po kalon një garë të fortë për titullin e Ligës Premier me Arsenalin, ndërsa në Kupë ata kanë një përballje në Wembley me Unitedin.

Skuadra e Pep Guardiolës po kërkon gjithashtu të arrijë në finalen e Ligës së Kampionëve për herë të dytë, pasi barazoi 1-1 me Real Madridin në ndeshjen e parë gjysmëfinale në Santiago Bernabeu.

City aktualisht qëndron një pikë përpara Arsenalit në krye të tabelës së Ligës Premier dhe një ndeshje më pak, nga katër sa kanë mbetur deri në fund.

Detyra e ardhshme e Citytt në ligë është një udhëtim në Goodison Park për t’u përballur me Everton të dielën. Pas kësaj, do të takohen me Chelsean në shtëpi përpara se të udhëtojnë në Brighton dhe Brentford në dy takimet e fundit.

Me nëntë pikë nga ato katër ndeshjet e fundit do të arrinte një titull të pestë në Ligën Premier në gjashtë vjet, dhe do të fitonte rreth 164 milionë funte apo rreth 190 milionë euro nga ky trofe.

Unitedi do të bëjë çmos për të prishur gjuetinë e trofeut të Cityt kur të dy rivalët të takohen në Wembley më 3 qershor në finalen e FA Cup. Nëse City do të fitonte trofeun për herë të dytë gjatë epokës së Guardiolës, atëherë ata do të fitonin rreth 3.9 milionë funte apo 4.5 milionë euro.

Nëse gjërat shkojnë mirë në ndeshjen e dytë gjysmëfinale kundër Real Madridit javën e ardhshme, atëherë ndeshja e fundit e sezonit të Cityt do të jetë finalja e Ligës së Kampionëve në Stamboll më 10 qershor.

Sipas mediumit The Sun, nëse City do ta fitonte finalen me njërën mes Interit dhe Milanit atëherë ata do të fitonin 117.2 milionë funte apo 135 milionë euro.

Fitimet në fazën e grupeve këtë sezon, duke përfshirë koeficientin dhe paratë e çmimit fillestar, nënkuptojnë se City tashmë ka grumbulluar 69.6 milionë funte apo 80 milionë euro.

Skuadra nga Etihad Stadium më pas mori 20.37 milionë funte apo 23.5 milionë euro të tjera me fitoret në fazën e 1/8-tës dhe çerekfinale.

Nëse City arrin në finale, ata do të marrin 9.6 milionë funte apo 11 milionë euro nga gjysma e mbetur e të drejtave televizive, pasi kanë luajtur 13 nga 39 ndeshjet që përfshijnë skuadrat angleze.

Çmimi i parave për të fituar finalen do të ishte rreth 17.63 milionë funte apo 20.40 milionë euro, që do t’i çonte të ardhurat e tyre totale të Ligës së Kampionëve për sezonin në 117.2 milionë funte apo 135 milionë euro.

Ngritja e trofeut kryesor evropian për herë të parë do t’i siguronte gjithashtu Cityt një vend në Kupën e Botës për Klube FIFA në vitin 2025, me vlerë rreth 50 milionë funte apo rreth 58 milionë euro.

Në total, arritja e tre trofeve apo tripletës këtë sezon do t’i dhuronte Cityt plot 285.1 milionë funte apo 328.5 milionë euro. /Telegrafi/