Marash Kumbulla është shndërruar në lojtarin kryesor të kësaj merkato vere. Futbollisti ynë i Kombëtares ka shkëlqyer me Veronën dhe ofertat në drejtim të tij tashmë s’mungojnë. Shumë klube të njohura europiane e duan në organikat e tyre, ndërsa në fund do të jetë klubi italian dhe vetë lojtari që do të vendosin.

Së fundmi, media e njohur përtej Adriatikut, “DAZN” i ka kushtuar një reportazh të veçantë shtatlartit të prapavijës. Në këtë artikull, 20-vjeçari përshkruhet si “Chiellini” i ri. “Është një futbollist që nuk ndikohet aspak nga gabimet e tij. Përkundrazi ato e bëjnë më të fortë. Arrin t’i korrigjojë si duhet. Është një talent i madh në prapavijë”.

Ofertat për Kumbullën janë të shumta, ndërsa Inter me Lazion janë në “pole-position” për shërbimet e tij. Përtej Italisë, Manchester City i Guardiolës është gati të paguajë shifrën e 20 milionë eurove për ta pasur në ekip.

Ndërkohë mediet spanjolle, prej ditësh e kanë çuar atë te Real Madrid duke e cilësuar dhe si pasardhësin e Sergio Ramos. Përtej këtyre “thashethemeve” të merkatos, pritet me interes të shihet se cila do të jetë e ardhmja e tij në merkaton e verës./newsport/