Edi Martini në kritikat e tij për situatën aktuale tek Vllaznia është ndalur edhe në një problem tjetër, atë të ndërtimit të skuadrës për sezonin e ardhshëm. Pikërisht atë të fillimit të mendimit për sezonin e ardhshëm. Kritika e ish-trajnerit të skuadrës shkodrane shkon në dy drejtime për drejtuesit e klubit prandaj ai thotë:
“Më duket paksa e habitshme që drejtuesit e klubit kanë filluar të mendojnë për sezonin e ardhshëm kur ende nuk janë të sigurtë për sezonin aktual. Duke e marrë si të mirëqenë qëndrimin në kategori, është gjë shumë e mirë që kanë filluar bisedimet me lojtarë për sezonin e ardhshëm por jo në këtë mënyrë. Në media flitet për kontakte me trajnerë të tjerë dhe mesa di unë, ka patur vërtetë kontakte. Ndërkohë në krye të Vllaznisë sot është Vata dhe kuptohet që ai nuk ndihet mirë me këtë lëvizje.Po ashtu, janë firmosë kontratat me dy prej futbollistëve aktualë e në vend që këto kontrata të mbahen sekret, bëhen publike për mediat. Në fakt, drejtuesit e Vllaznisë harrojnë se ata I kanë kënaqur ata dy futbollistë që ndihen tashmë të qetë ngaqë e kanë siguruar kontratën edhe për sezonin e ardhshëm por ndërkohë harrojnë se kanë prishur raportet me 20 të tjerët që nuk kanë kontratë. Përderisa nuk thirren për të biseduar edhe ata, në njëfarë mënyre është sinjal se nuk do jenë në planet e Vllaznisë për sezonin e ardhshëm. Në kushte të tillë, si do luajnë të qetë këta futbollistë tani, si do sakrifikojnë ata për skuadrën. Prandaj e përsëris, Vllaznia ka mbërritur deri këtu ku është sot nga keqmenaxhimi I situatës nga disa prej drejtuesve të saj”.
www.shkodrasport.com