Pasditen e sotme është zhvilluar në Greqi ndeshja miqësore në mes ekipit vendas Apollon Kallamarias dhe Liteksit të Bullgarisë. Në rradhët e të dy këtyre ekipeve ka patur futbollistë shqiptarë pasi tek Apollon luan i mirënjohuri Altin Haxhi, ish-lojtari i kombëtares shqiptare ndërsa tek Liteks siç dihet luan shkodran Armando Vajushi. Skuadra e këtij të fundit ka luajtur më mirë dhe ka fituar me rezultatin 4-0. Njërin nga këta gola, pikërisht atë të tretin e ka shënuar Vajushi i cili është aktivizuar nga ana e trajnerit Hristo Stoiçkov në 45 minutat e dyta të ndeshjes. Në këtë mënyrë, ai e ka fituar “betejën” me Haxhin si në aspektin personal ashtu edhe me ekipet.

Skuadra e Liteksit që nga fillimi i kësaj jave është duke u stërvitur në Greqi ku do qëndrojë një javë para se të kthehet në Bullgari për të rinisur fazën e dytë të kampionatit që starton më 3 mars. Goli i shënuar sot nga Vajushi është i dyti për të në miqësoret që ai ka luajtur me skuadrën e tij të re. Të mos harrojmë se ai nuk aktivizohet më si sulmues por po luan si mesfushor i majtë. Për vetë ai, nuk ka aspak problem se ku luan, e rëndësishme është të jetë gjithnjë në formacion dhe të mundohet të japë më të mirën për skuadrën e tij.

www.shkodrasport.com