Menaxheri i futbollit, Andi Matraxhiu, në emisionin “SportZone” në MCN TV, foli për merkaton në Shqipëri, duke thënë se nuk ka pasur ende një lëvizje bombasitke, siç mund të ishte afrimi i Arlind Ajetit.

Në lidhje me Partizanin, ai deklaroi se i duket si sëmundja e Dinamos, për merkaton, ndërsa shtoi se pavarësisht emrave, përsëri menaxhimi bëhet nga të mëparshmit.

Deri tani ka pasur shumë lëvizje në merkato, por nuk kemi parë një lëvizje bombastike, që të themi se në Shqipëri po bëhet një punë e madhe. Përflitet për një ardhje e Ajetit, kjo do të ishte një lëvizje bombastike. Nëse bëjmë një krahasim mes Ajetit dhe Seferit, mbrojtësi për nga CV është shumë më lart si emër.

Grupet e menaxhimit në Shqipëri, janë të ndryshme, por me interesa të përbashkëta. Partizanin e shikoj si sëmundja e Dinamos, ku duam apo nuk duam, është e njëjta dorë menaxhuese. Pavarësisht se ka emra të tjerë para, përsëri menaxhimi bëhet nga të mëparshmit. Skuka ka bërë shumë mirë, e kam parë edhe më herët që në Kategorinë e Parë. Nëse Partizani nuk do ia kishte dhënë mundësinë, do e gjykonim ndryshe.

Lojtarët e huaj kanë më shumë informacion se ne për kampionatin shqiptar. Futbollistët flasin shpesh me njëri-tjetrin. Një lojtar i huaj të vendos kusht dhe të thotë se ‘këto 2-3 ekipe dua, mos më dërgo në ekip tjetër.’

Herald Marku, është menaxhuar nga drejtori i Partizanit dhe janë çështje të brendshme, që i zgjidhin. Unë jam gjithmonë kundër rikthimeve.