Shumë shqiptarë nëpër botë, shumë talente, por akoma një i denjë për “Golden Boy”. Kësaj i ka ardhur fundi tashmë dhe kjo arritje është fryt i punës së madhe dhe cilësive të Leon Dajakut. Anësori 19-vjeçar luan te të rinjtë e Bajern Mynih dhe është një nga talentet më premtues. Hansi Flik herë pas here e grumbullon edhe me ekiipin e parë, ku ka dy paraqitje këtë sezon.

Talenti i Dajakut tashmë është parë nga të gjithë dhe djaloshi me origjinë nga Kosova është në listën prej 100 futbollistësh të “Golden Boy”, çmim që i akordohet lojtarit më të mirë të globit nën 21 vjeç. Një sukses jo i vogël për Dajakun, i cili u evidentua nga Bajerni dhe u afrua në gjirin e kampionëve.

Sulmuesi këtë sezon ka luajtur në 29 ndeshje me Bajern II dhe ka arritur të shënojë katër gola dhe të dhurojë katër asiste. Ky ishte sezoni i parë i Dajakut te kampionët e Gjermanisë, ku erdhi verën e shkuar për shifrën e 1.5 milionë euro nga klubi i Shtutgart, ku hodhi hapat e parë si futbollist. /vipsport/