Një ditë më parë u kurorëzua nga FSHF si fituese e trofeut “Këpuca e Artë” si golashënuesja më e mirë e kampionatit të sezonit 2019-2020. Me 88 golat e shënuar, sulmuesja e Vllaznisë Megi Doçi i la pas të gjitha futbollistet e tjera dhe në fakt nuk kishte si të ndodhte ndryshe sepse ajo është “e papërballueshme”.

88 golat e kampionatit të fundit në fakt është numri më i madh i golave të shënuar prej saj në një kampionat. Sezonin e kaluar kishte shënuar 79 ndërsa para dy sezonesh 70.

Këto shifra padyshim që do të thellohen edhe më tej. Megi është vetëm 23 vjeçe dhe ka ende shumë rrugë për të bërë. Shifrat e deritanishme janë vërtetë mahnitëse. Në total vetëm në kampionate ka shënuar plot 454 gola.

4 nga këto gola i ka shënuar me ekipin e saj të parë, Dardania. Një sezon më vonë, atë 2011-2012 ka shënuar 22 gola për Tirana AS por vetëm për gjysëm sezoni sepse në gjysmën e dytë do të bëhej pjesë e ekipit Ada me të cilin do të shënonte edhe 15 gola të tjerë.

Edhe në sezonin 2012-2013 do të luante për Adën me të cilën do të shënonte edhe 15 gola të tjerë, ndërsa nga viti 2013 e deri më sot, Doçi është pjesë e Vllaznisë.

Me këtë skuadër ka luajtur 122 ndeshje, në total 1185 minuta dhe ka shënuar plot 398 gola. Me këtë ecuri ajo ka ndihmuar Vllazninë të fitonte 7 tituj kampionë rradhazi dhe kuptohet që sukseset e saj por edhe të Vllaznisë do të vijojnë edhe në të ardhmen.
Gjergj KOLA