Dritan Mehmeti, trajneri i Partizanit, para ndeshjes me Laçin ka dalë para mediave dhe ka folur për duelin ndaj bardhezinjve. Ai është ndalur edhe një herë te sfida e shkuar kundër Vllaznisë në Kupë si dhe ka folur edhe për mungesat në skuadrën e tij.

“Laçi është një skuadër e organizuar mirë dhe është me meritë i dyti. Shkalla e vështirësisë është, pasi ka lojtarë cilësorë. Në Laç bëmë një ndeshje të mirë, por kjo nuk do të thotë që ndeshja do të ketë histori tjetër. Në do bëjmë maksimumin, pasi na duhet vazhdimësi. Duhet të rritemi në aspektin mental dhe me mënyrën se si interpreton lojën ndaj kundërshtarëve të ndryshëm”.

“Mungesa e golit? Shpresoj që kjo të ndryshojë dhe sulmuesit të jenë më të qetë. Mundësitë kanë qenë që të shkojmë te porta e kundërshtarit. Në tre ndeshjet e fundit kemi humbur dy penallti dhe një rast flagrant me Junior, plus edhe shtyllën me Skukën. Skuka ka cilësi të mirë, por vështirësia e tij është që të sinkronizohet me shokët dhe të dijë kur të shërbejë dhe kur të godasë portën”.

“Kallaku? Stafi mjekësor po bën maksimumin, pasi ai nuk është në gjendjen e tij më të mirë shëndetësore. Besoj se një nga faktorët është gjendja fizike, që nuk po arrin të forma më e mirë për të parë Kallakun si gjithmonë. Shpresoj të jetë sa më shpejt në gjendjen më të mirë fizike dhe të vijë të na ndihmojë, pasi është një vlerë e shtuar. Gjithsesi kemi lojtarë, loja bazohet te grupi dhe do mundohemi të bazohemi te grupi”.

“Mungesat? Kemi një skuadër me shumë elementë, por secili ka vlerat e veta. Mungesat janë të rëndësishme. Rrapaj është një lojtar që ka goxha proces motorik dhe i jep goxha frymëmarrje repartit të mesfushës. Është një mungesë që e kemi ndjerë edhe me Vllazninë. Ai ka një tërheqje dhe do mungojë edhe 10 ditë të tjera. Shpresoj të jetë sa më shpejt afër skuadrës”.

“Ndaj Vllaznisë pati tension, pasi është specifike kur ke dy ndeshej dhe duhet kujdes kur je me eliminim dhe nuk do të pësosh. Treguam pak tension, donte ta merrte rezultatin me ngulm. Duhet të përshtateshim me terrenin, që e ul cilësinë e lojës. Edhe kundërshtari nuk ishte në lartësinë e duhur, rezultati ishte i drejtë. Do jetë si finale në Shkodër dhe shpresoj të japim më të mirën dhe të fitojë më i miri”.

“Kapitulli i ndeshjes së parë është mbyllur, të dyja skuadrat kanë mundësinë e veta. Luajmë në Shkdoër, ku e duan futbollin. Besoj se e kanë kulturën të na mirëpresin. Nëse do bëjmë diferencën dhe do e meritojmë në fushë, jam i sigurt që do na duartrokasin”.

“Rotacion për t’u ruajtur për Kupën? Do ishte gabimi më i madh të mendojmë për Kupën që tani. Duhet të respektojmë veten. Do mendojmë vetëm për ndeshjen e nesërme, nuk kemi pse ruajmë forcat. Kur të vijë momenti për ndeshjen e dytë me Vllazninë, atëherë mendojmë për të. Kemi shanset tona edhe në kampionat. Duhet të përmirësohemi dhe të tregojmë mentalitet fituesi, siç e kemi treguar. Shpresoj që nesër të jemi më të lirshëm psikologjikisht, pasi ndaj Vllaznisë na pengoi kjo”.

“Rinovimet? Nuk më përket, është një pyetje që duhet t’ua bëni drejtuesve. Unë nuk merrem me kontratat. Jam shumë i fokusuar te pjesa e trajnimit, te përgatitja e ndeshjes. Kemi bërë 5 ndeshje në dy javë. Kemi edhe Carën e Markun, që për 7 ditë kanë bërë tre ndeshje. Nuk është normale, nuk kemi hyrë në garë të barabartë. Jam i fokusuar te ndeshja e radhës, nuk kam kohë të mendoj për më gjatë dhe nuk më takon mua. Dua të dalim nga kjo situatë, duke qenë të përulur, të punojmë fort dhe të mendojmë për ndeshjen e radhës”.