Ish-futbollisti i Tiranës Migen Memelli kritikoi ashpër tre sulmuesit me ngjyrë të ekipeve Tirana dhe Skënderbeu pas barazimit të djeshëm 1-1.

Në studion e “Zona Gol” të “Supersport”, Memelli kritikoi lojtarët Sasraku, Danso (Tirana) dhe Mensah (Skënderbeu) për nivelin e shfaqur deri tani dhe rastet e shpërdoruara në 9 javët e para të kampionatit.

“Të gjithë lojtarët me ngjyrë, që kanë luajtur sot në këtë ndeshje (Skënderbeu-Tirana) për të dy ekipet nuk janë lojtarë për nivelin e kampionatit tonë. U kanë kushtuar këtyre dy trajnerëve pikë.

Sasraku, Danso dhe Mensah i Skënderbeut jo vetëm në këtë rast, por edhe në ndeshjen me Laçin kur duhej të mbyllte llogaritë. Unë vazhdoj të kem bindjen sikurse në fillim se në kampionatin tonë duhet të vijnë lojtarë që të jenë mbi nivelin e atyre shqiptarë.

Nëse pastaj presidentët kanë qejf t’i marrin për llogaritë e tyre, nuk është problemi jonë. Ne do t’i themi gjërat në mnyrë të drejtpërdrejtë.  Sot Mensah i Skënderbeut i ka hequr tre pikët skuadrës së Ahmatajt sepse rezultati mund të ishte dyfishuar dhe si kjo edhe ndeshja me Laçin po në stadiumin Skënderbeu që humbi atë rast.

Në krahun tjetër Sasraku dhe Danso nuk po tregojnë asgjë. Sasraku një sulmues që ka shënuar vetëm një gol në 9 ndeshje. Nuk tenton të godasë asnjëherë portën gjatë 90 minutave, por që gjithsesi kjo është pjesë, që i përket klubeve dhe menaxhimit që ato kanë”, deklaroi Memelli.