Në Bullgari po mbahet turneu botëror “Dan Kolov”, një prej kompeticioneve më të fortë të mundjes.
Në këtë eveniment merr pjesë edhe Shqipëria, e përfaqësuar nga çeçenët e natyralizuar kuqezi, Zelimkhan Abakarov dhe Islam Dudael, të cilët garojnë në stilin e lirë.

Paraqitjet e tyre kanë qenë vërtetë fantastike, teksa Abakarov tashmë ka futur në kasafortë medaljen e artë në peshat 61 kg.

Në raundin e parë mposhti amerikanin J.Rodriguez. Më tej likuidoi dy indianët R.Ravinder dhe I.Vicky.

Në gjysmëfinale fitoi kundër bjellorusit A.Bekerneu, e më pas në finale triumfoi lundër indianit tjetër Kumar Ravi, ky i fundit medalist në Olimpiadën e Tokios.

Ndërkohë medalje ka siguruar edhe Islam Dudaev, i cili është kualifikuar në finale, aty ku nesër do të luftojë për të rrëmbyer të artën.

Kështu strategjia e afrimit të mundësve nga Çeçenia po jep rezultate menjëherë për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, ndërsa Federata Shqiptare e Mundjes synon që me këta sportistë të sigurojë edhe kualifikimin për në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.