Skënderbeu ka humbur pesë ndeshjet e fundit në kampionat dhe tani ka kapur fundin edhe në renditje. Në këtë situatë korçarët duhet të reagojnë që në duelin e nesërm kundër Vllaznisë, që luhet prej orës 16:45 në shtëpinë e tyre.

Trajneri Migen Memelli përpara mediave ka deklaruar: “Është një ndeshje shumë e rëndësishme në këtë pikë të sezonit. Më tepër se kurrë na duhen pikët, para lojës e mirë. Besoj se qëllimi kryesor për ne kur të hyjmë në fushën e lojës është marrja e pikëve maksimale, edhe në kushtet që kemi mungesa.

Si staf transferojmë një klimë pozitive edhe tek ata lojtarë që u jepet mundësia për t’u futur në fushën e lojës”. “Mbijetesa? Duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një. Gjëja e fundit që mund të mendoj është rrëzimi. E them me bindje, se kur të plotësohet grupi do ta shikoni sesa solide do jetë skuadra dhe çfarë rezultatesh do kemi. Në këtë pikë mendoj se është momenti që të japim maksimumin.

Jemi të ndërgjegjshëm që situata duhet të përmirësohet, për të pasur një rritje psikologjike në javët në vazhdim”. “Nëse marrim një rezultat mirë nesër, fitore, pa diskutim mendoj që ana psikologjike do rritet. Pastaj gjendja e skuadrës do të jetë më e mirë dhe duke përballuar javët në vazhdim. Janë shumë javë për t’u luajtur dhe çdo javë është e rëndësishme. Duke pasur besimin që gjërat do ndryshojnë, mendoj që edhe situata në klub do të ndihmojë”.

“Plus që Vllaznia është larg titullit? Në këtë pikë do tregoja mungesë respekti nëse flisja për Vllazninë. Çdo skuadër ka planet e veta. Mendoj që për nga kultura sportive, jemi dy qytete të përafërta dhe besoj që nesër do të zhvillojmë një ndeshje të pastër dhe shpresojmë të dalim fitues. Gjithmonë lojtarët më japin besim dhe eci gjithmonë me optimizëm. Unë jam njeriu i fundit që mund të dorëzohet në këtë klub”, tha Memelli