Ka shkuar në 13 numri I shteteve pjesmarrëse në Memorialin Ndërkombëtar të boksit që do të zhvillohet në Shkodër në fillim të muajit të ardhshëm. Ai do zgjasë tre ditë, pikërisht në datat 5-7 prill dhe pritet të ketë një interes shumë të madh për të. Pikërisht për këtë arsye, kombëtarja shqiptare e boksit pas grumbullimit njëjavor në Velipojë, tashmë ka filluar një fazë tjetër të grumbullimit teksa po bëhet gati për këtë aktivitetet shumë të rëndësishëm. Rëndësinë e Memorialit të sivjetëm e ka bërë të diturnë në një intervistë të tij për gazetën online www.shkodrasport.com edhe vetë trajneri I kombëtares shqiptare të boksit, I mirënjohuri Zef Gjoni që ka thënë:


“Pas një jave grumbullim dhe stërvitje në Velipojë, tashmë kemi filluar grumbullimin në Shkodër dhe kemi hyrë në fazën më intensive të përgatitjeve për Memorialin. Ne e kemi vlerësuar shumë seriozisht sepse kemi të bëjmë me një aktivitet shumë të rëndësishëm ku deri tani kanë konfirmuar pjesmarrjen plot 13 shtete, madje ka patur edhe të tjerë që kanë dashur të marrin pjesë por nuk kemi patur mundësi ngaqë aktiviteti zhvillohet në tre ditë. Prania e gjithë këtyre ekipeve, ka ardhur falë mbështetjes financiare që ka dhënë Bashkia Shkodër ashtu si çdo vit tjetër dhe po ashtu, këtë vit kemi edhe mbështetjen e Ministrisë që mbulon sportin e në veçanti të ministrit Bumçi që do jetë sponsori kryesor i këtij Memoriali”. Me këtë pjesmarrje, sigurisht që do të jetë e vështirë edhe marrja e medaljeve sepse do ketë rivalitet shumë të fortë megjithatë trajneri Gjoni është I bindur se tre boksierë të kombëtares sonë do të arrijnë të dalin në finale. “Rivaliteti do jetë shumë i fortë sepse kemi pjesmarrës edhe boksierë që janë kampionë Europe dhe bote. Megjithatë, do të kërkojmë që të paktën tre sportistë tanë të jenë në finale dhe një apo dy prej tyre të zënë vendet e para. Këto janë objektivat tona prandaj dhe po stërvitemi me mjaft përkushtim prej disa kohësh”-ka thënë ai.Përveç kombëtares shqiptare, kanë konfirmuar pjesmarrjen në Memorialin Shkodra 2013 edhe shtetet e tjera si Rusia, Skocia, Italia, Uzbekistan, Australia, Maqedonia, Kosova, Bullgaria, Tunizia, Guinea, Mali i Zi e Sllovenia. Shikohet qartë edhe nga emrat e këtyre shteteve se do të kemi të bëjmë me një turne shumë të fortë ku nuk do mungojnë as kampionët e Europës dhe ato të botës.

 

Gjergj KOLA