Elseid Hysaj ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp një ditë para ndeshjes së Shqipërisë kundër Spanjës. Kapiteni i Kombëtares analizoi shkurtimisht këtë takim, i cili do të shërbejë për të parë gjendjen e lojtarëve që ka në dispozicion trajneri Edi Reja.

Mbrojtësi i linjës pritet ta nisë si titullar dhe para gazetarëve shprehu besimin se skuadra e tij do të japë maksimumin kundër “Furisë së Kuqe”. Para përballjes që luhet nesër në orën 19:45, Hysaj tha:

“Rezultat pozitiv? Është një ndeshje shumë e bukur për t’u luajtur, të gjithë do duan të jenë në fushë. Karikimi është i madh, duam një rezultat të mirë për të vijuar. Dihet se ata janë të mirë në mbajtjen e topit dhe lojën e shpejtë.

Një gjë është se ne duam të qëndrojmë pas dhe më pas të presojmë sipër për të dalë në kundërsulm. Atmosfera është e mirë, dukej se na mungonte njëri-tjetri. Për tre muaj që nuk shiheshim, na kishte marrë malli dhe do luajmë mirë.

Besoj se do të luajmë me 5-së. (Qesh) Si Pedri dhe Busquets, këta lojtarë luajnë në skuadra të mëdha, besoj se vështirësia është e njëjtë”, përfundoi ai.