Pas plot 23 vitesh do të rikthehen garat e atletikës në Shkodër sepse të premten pasdite në pistën e stadiumit “Loro Boriçi” do të zhvillohet aktiviteti “100 vite atletikë Vllaznia”, organizuar nga Bashkia Shkodër dhe Sportklub Vllaznia në kuadrin e aktiviteteve me rastin e 100 vjetorit të themelimit të shoqnisë Vllaznia.

Ato kanë gjetur edhe mbështetjen e Federatës Shqiptare të Atletikës teksa do të ketë gara në disa disiplina sportive duke filluar nga kërcimi së gjati, ai trehapësh, 100 m, 200 m, 400 m dhe 800 m.

Interesant është fakti se gjeografia e pjesmarrësve është shpërndarë dhe nuk do të kemi pjesmarrës vetëm nga Shqipëria. Këtë gjë e bën të ditur në një prononcim për “Shkodra Sport” kryetrajneri i ekipit të Vllaznisë Albert Marashi.

“Jemi të lumtur që rikthehet një aktivitet atletike pas kaq shumë vitesh në Shkodër dhe në të do të marrin pjesë atletët më të mirë të Shqipërisë por edhe të ftuar nga Kosova dhe nga Maqedonia e Veriut. Synojmë që këtë aktivitet ta kthejmë në një Miting të përvitshëm dhe kjo besoj se është një kënaqësi për të gjithë atletët shkodranë.

Ka pasë shumë prej tyre këto vitet e fundit që e kanë filluar dhe e kanë lënë sportin pa zhvilluar një garë në qytetin e tyre dhe njëri nga ato janë edhe unë që kam bërë 18 vite sport pa bërë asnjë garë në Shkodër. Prandaj, do të mundohemi që këtë aktivitet ta bëjmë sa më të bukur dhe t’i japim rëndësinë e duhur”- ka thënë Marashi.
© shkodrasport.com