Diten e djeshme, ashtu si dhe per turin e dyte, ka qene i pranishem ne Nion te Zvicres ne sallen ku eshte hedhur shorti i fazes se grupeve te “UEFA Women’s Champions League”. Menaxheri i ekipit “Vllaznia femra” Oliver Matija ka patur fatin si pakkush tjeter ne futbollin shqiptar, te ulet ne tavolinen e bisedimeve me perfaqesues te larte te klubeve te Çelsit, Paris Saint Germain e Real Madrid, skuadra me te cilen ekipi shkodran do te ndeshet ne muajt tetor- dhjetor.

Ai eshte kthyer sot nga Zvicra dhe “Shkodra Sport” ka shfrytezuar rastin per t’i marre nje interviste dhe per te nxjerre permes saj shume gjera interesante qe kane te bejne me keto ekipe te medha te cila do te zbresin ne Shkoder, duke filluar nga i pari, Reali i Madridit. Per me teper, ju ftojme te lexoni intervisten e Oliver Matijes:

– Oliver pershendetje…

Pershendetje.


– Sapo jeni kthyer nga Zvicra ku moret pjese ne hedhjen e shortit. Emocione te jesh i pranishem si perfaqesues i Vllaznise ne mes klubeve me te njohura te Europes?

Padyshim qe emocionet jane te medha. Jemi mesuar t’i shohim permes televizionit keto klube dhe te jesh ne te njejten salle me perfaqesuesit e tyre dhe madje edhe te ulesh ne tavolinen e bisedimeve kuptohet qe eshte nje moment i cili nuk do me hiqet lehte nga mendja.


– Heren e kaluar ishit me fat kur ne short gjetet Vorskla Kharkiv, por kete here nuk mund te themi keshtu besoj?

Natyrisht qe jo gjithmone na ndjek fati, por edhe keto ekipet e tjera me te cilat na ra shorti kete here, nuk eshte keq.

– Por ne fakt, me duket ju dhe babai juaj si tifoze gjermane qe jeni keni dashur Bajernin ne grup apo jo?

Ate e kishim me qejf, por nuk na ra megjithate edhe keto te tjerat me te cilat do luajme nuk jane keq sepse jane emra te medhenj te futbollit europian.

– Emri juaj, Oliver, besoj se ka lidhje me gjermanet apo jo?

Po, babai duke qene tifoz gjerman me ka ngjitur emrin e Oliver Bierhoh, sulmuesit te njohur i cili ka qene ne kulmin e tij ne momentin kur une kam lindur.


– Megjithate, tashme duhet te flasim per Çelsi, PSG e Real. Patet takim me to pas hedhjes se shortit?

Po, u zhvilluan takimet e para te njohjes ku ishin te pranishem edhe perfaqesuesit e UEFA-s dhe zhvilluam bisedat e para ne lidhje me ndeshjet qe do te luajme ne kete kompeticion te rendesishem.

– Per çfare ishin te interesuar te dinin perfaqesuesit e ketyre klubeve per Vllaznine?

Pyetjet e para kuptohet qe ishin ato per stadiumin ku do te luanim, qytetin, distancen me aeroportet me te aferta e gjera te tjera qe kane te bejne me akomodimin.

– Pyeten edhe ne lidhje me skuadren per ndonje detaj, historine e saj apo ndonje gje tjeter?

Interesi i tyre ishte per te mesuar se sa tifoze e ndjekin kryesisht Vllaznine ne ndeshjet e saj. Po ashtu, me pyeten edhe se si na duket kjo eksperience e pare e jona ne grupet e Champions League. Gjithashtu me pyeten edhe per barin e stadiumit “Loro Boriçi.


– Per barin e stadiumit…?

Po, donin te dinin se çfare bari kishte fusha ku do te luanin sepse interesi i tyre ishte te luanin ne nje fushe me bar natyral dhe jo artificial.

– Perfaqesuesit e Çelsit, PSG dhe Real ne hedhjen e shortit ishin te nivelit te larte te ketyre klubeve?

Ishin drejtoret sportive te çdo ekipi te femrave, nderkohe qe per PSG perfaqesues ishte drejtori i pergjithshem i gjithe klubit, pra edhe i femrave dhe i meshkujve.

– Kush kerkoi me shume informacion per Vllaznine nga keto tre ekipe?

PSG dhe Reali, ndersa Çelsi jo dhe shume.

– Reali per çfare arsye, apo ngaqe do te jete ekipi i pare qe do te zbarkoje ne Shkoder?

Kishin interes per te mesuar me shume per hotelet ku do te akomoden, largesia e stadiumit nga aeroporti dhe po ashtu me folen edhe per stadiumin e tyre. Nuk do te luajme ne “Santiago Bernabeu” por ne stadiumin e dyte, “Alfredo di Stefano”. Ndersa me Çelsin me shume mundesi do te luajme ne “Stamford Bridge’ dhe ndaj PSG mund te luajme ne “Parc des Princes”.


– Nga sa kuptuat, perfaqesuesit e ketyre ekipeve nuk e llogarisnin fare Vllaznine ne nivelin sportiv apo u treguan te rezervuar?

Na mendojne ekip te kalueshem lehte. Kjo sepse gjithe kohen ishin duke permendur pjesen qe “ishit pa fat ne grup” edhe me thane shume here qe do te jete mire per ju vetem ne aspektin e marketingut.

– Pozitive kjo per Vllaznine?

Deri diku pozitive sepse na nenvleresojne ne pamje te pare, por besoj se tashme e dine te gjithe se çfare ndodh kur nenvleresohet Vllaznia. Edhe besoj qe kane per te mbetur te habitur prej nivelit tone si ne anen organizative, po ashtu edhe ne loje.
Intervistoi: Gjergj KOLA