Vllaznia është në përgatitjet e fundit për ndeshjen e javës së 5-të në kampionat. Kundërshtar këtë fundjavë në “Loro Boriçi” do jetë Kastrioti. Një ekip i sikletshëm, qoftë nga forma e mirë që po kalojnë krutanët apo edhe nga mënyra e tyre e lojës. Por tek kuqeblutë me patjetër që do kërkohet suksesi pas asaj humbjeje kundër Egnatias javën e shkuar.

Skuadra e drejtuar nga Josa duket se edhe kësaj rradhe do vuajë mungesat. Kështu Latifit që mungon prej disa javësh, i shtohet edhe Boshnjaku që doli i dëmtuar në ndeshjen e fundit kundër rrogozhinasve. Por në mesfushë ka një rikthim siç është Herald Marku, që kthehet pas pezullimit që kishte në raundin e shkuar.

Por një nga lojtarët që ndoshta mund ti besohet në takimin e së dielës është edhe Rejan Alivoda. 19-vjeçari që aktivizohet në rolin e mesfushorit mund të jetë një alternativë shumë e vlefshme për të zëvendësuar Boshnjakun.

Madje ishte ai që zuri vendin e ish-mesfushorit të Prishtinës në momentin që ky i fundit u largua i dëmtuar nga ndeshja me Egnatian.

Dhe madje Alivoda zhvilloi një paraqitje që mund të quhet pozitive në një takim që Vllaznia u shfaq shumë dobët. Megjithatë ende nuk është vendosur për formacionin titullar që do zbresë në fushë kundër Kastriotit.

Dhe cilët do qofshin lojtarët që do jenë titullarë, objektiv do jetë vetëm fitorja kundër Kastriotit në ndeshjen që do zhvillohet të dielën në orën 17:45.

Endri ÇINARI