Sporti I peshëngritjes prej vitesh ka zhvilluar kampionatin kombëtar të të rriturve gjatë muajit mars. Por nuk do të ndodhë kështu këtë vit. Mos hapja e fondeve për Federatën, ka bërë që gjithçka të shtyhet për më vonë por kjo ka ndikuar për keq tek stërvitja e sportistëve të Vllaznisë. Kjo deklarohet nga njëri prej trajnerëve të këtij ekipi, Muhamet Tuzi në një intervistë për gazetën www.shkodrasport.com kur shprehet:

“Ne ishim përgatitur si gjithmonë për garat e kampionatit por mos hapja e fondeve për Federatën ka bërë që ai të shtyhet, i ndikuar padyshim edhe nga kampionati europian që do zhvillohet pas pak ditësh. Një shtyrje e tillë sigurisht që nuk ishte diçka e mirë sepse duhet të ndryshojmë ciklin stërvitor të sportistëve dhe përpos kësaj, ende nuk e dimë me saktësi se kur do të zhvillohet kampionati”.Ndërkohë në fillimin e muajit prill, në Izrael zhvillohet kampionati Europian I peshëngritjes ku mes sportistëve të tjerë pjesmarrës do jetë edhe shkodrani Erkand Qerimaj. I pyetur për formën e këtij sportisti dhe shpresat që ai ka për të qenë në zonën e medaljeve, trajneri Tuzi përgjigjet. “Nga sa kemi parë në stërvitjet e ditëve të fundit Erkandi gëzon formë shumë të mirë sportive, madje ka arritur të ngrejë më shumë kilogramë sesa herën tjetër kur u shpall Kampion Europe. Sigurisht që garës nuk i dihet megjithatë jam i bindur se ai do jetë në zonën e medaljeve, pse jo sërish Kampion i kontinentit”- ka thënë trajneri Tuzi.Përveç Qerimajt në palestrën e klubit shkodran çdo ditë stërviten me shumë pasion të tjerë sportistë me perspektivë si Xhulio Prroni, Emanuel Lushi etj që pritet të na dhurojnë suksese të tjera në garat kombëtare dhe ndërkombëtare.

Gjergj KOLA