Kampionati kombëtar I volejbollit për meshkuj ka hyrë në fazën më interesante të tij. Pikërisht sot dhe nesër do të nisë plej- ofi, faza e cila do të përcaktojë më pas edhe verdiktin kryesor të kampionatit, atë se kush do të shpallet kampion I vendit. Sfida e parë gjysmëfinale do të jetë ajo Studenti- Farka Volej ndërsa që sfida tjetër do të luhet pasditen e së mërkurës në Shkodër. Përballë Vllaznisë do të jetë ekipi I Tiranës dhe ndeshja do të luhet në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në orën 18.00. Ajo pritet me interes në rradhët e tifozërisë shkodrane e cila po e ndjek me interes ecurinë e ekipit të drejtuar nga trajneri Artan Kalaja I cili pretendon titullin kampion këtë sezon. Por natyrisht që nuk do të jetë e lehtë. Në rradhë të parë duhet kaluar me sukses ekipi I Tiranës I cili ka lojtarë cilësorë në rradhët e tij. Në kalendarin e Federatës Shqiptare të Volejbollit janë të parashikuar tre ndeshje gjysmëfinale. E para do të luhet pra të mërkurën në Shkodër, e dyta do të luhet në Tiranë më datë 29 mars ndërsa nëse është e nevojshme, ndeshja e tretë dhe përcaktuese do të zhvillohet më datë 2 prill po në Shkodër. Fakti që Vllaznia ka dy ndeshje Brenda dhe një jashtë, e bën atë më favorite për kalimin në finale ku padiskutim pritet të jetë përballë Studentit, ekipit më të mirë aktualisht në vend. Megjithatë ekipi shkodran, edhe pas përforcimeve të bëra, pritet të jetë një sfidues I fortë për të sjellë për herë të parë në këtë qytet një titull kampion në volejboll për meshkuj.

© shkodrasport.com