Vllaznia në volejboll për meshkuj ka bërë një hap të gabuar në ndeshjen e parë gjysmëfinale të kampionatit. Ndonëse ka luajtur në Shkodër, ajo është mundur 1-3 nga ekipi I Tiranës dhe tashmë vështirësitë për të kaluar në finale janë më të mëdha për djemtë e trajnerit Kalaja ngaqë takimi I dytë, ai përcaktues për këtë gjë, do të luhet të shtunën në Tiranë. Ndeshja në fakt ka patur shumë emocione. Në setin e parë ka patur shumë rivalitet dhe në shtesë ka fituar Tirana 29 me 27. Në të dytin është Vllaznia që fiton 25 me 22 duke barazuar shifrat e seteve dhe kur pritej që në setin e tretë të ishte ajo sërish fituese ngaqë udhëhiqte me 7 pikë epërsi, disa gabime të njëpasnjëshme bëjnë që Tirana të fitojë 25 me 22. Ajo do të fitonte edhe setin e katërt dhe të fundit me të njëjtat shifra dhe krejt takimin me rezultatin 3 me 1. Në fund të takimit ka patur jo pak kontestime të volejbollistëve shkodranë por edhe tifozëve në lidhje me gjykimin e ndeshjes megjithatë trajneri Kalaja kërkon që fajin Vllaznia duhet ta gjejë kryesisht tek vetja dhe ka premtuar se asgjë nuk është mbyllur sa I takon skuadrës që do kalojë në finale.Ndeshja e dytë gjysmëfinale luhet të shtunën në “Fahrije Hoti” dhe më afër kalimit në finale sigurisht që është Tirana. Në rast fitoreje sërish të saj, gjithçka mbyllet sa I takon kësaj enigme, por nëse fiton Vllaznia atëherë do luhet një takim I tretë dhe I fundit në Shkodër më 2 prill dhe shanset pastaj do rikthehen në favor të kuqebluve.

www.shkodrasport.com