Murlani-Luftëtari ishte ndeshja kryesore e javës së shtatë të Kampionatit Kombëtar të futbollit për kategorinë e tretë, ndeshje kjo e zhvilluar sot pasdite në Kompleksin Sportiv të Kamzës.

Të dyja skuadrat vinin në këtë përballje duke qënë bashkëkryesuese me nga 15 pikë secila. Një ndeshje që gjatë të gjithë javës së pragndeshjes u komentua shumë, pasi në të dy kampet respektive objektivi ishte vetëm fitorja tre pikëshe.

Këtë objektiv e realizoi skuadra gjirokastrike Luftëtari, e cila fitoi me rezultatin 1 me 0. Goli i fitores për Luftëtarin është shënuar në minutën e 84-t nga Skerdi Matushi. Sfidë kjo që u karakterizua nga një luftë e fortë sportive, por që nisur nga kronika e lojës, rastet më të shumta për gol janë regjistruar në portën e Murlanit.

Dhe, nëse nuk kishte gola të tjerë në portën murlanase, meritë për këtë ka portjeri Fabiol Rexhepi i cili shfaqi një formë të shkëlqyer sportive, ndërkohë që në një moment atij i erdhi në ndihmë edhe shtylla horizontale që pengoi topin e goditur mjeshtrisht nga Braho.

Përfundimisht, 1 me 0 për Luftëtarin, që në një farë mënyre i kthen reston Murlanit, i cili në fazën e parë e mundi me rezultatin 2 me 1 falë golave të shënuar nga Djepaxhia dhe Kaçubela për Murlanin dhe Braho për gjirokastritët.

Me këtë fitore, Luftëtari merr i vetëm kryesimin e tabelës së klasifikimit, tashmë me 18 pikë duke lënë pas me tre pikë më pak Murlanin. Një humbje kjo që nuk e ka ulur aspak moralin në kampin e KF Murlani, pasi sipas drejtuesve të klubit, Murlani dhe murlanasit do të kthehen shumë shpejt tek fitorja.