Ndeshja e javës së 26-të në mes ekipeve të Skraparit dhe Adës nuk ka përfunduar deri në fund. Një incident i futbollistëve dhe drejtuesve të ekipit të Skraparit me gjyqtarët, ka bërë që ndeshja të ndërpritet në fundin e pjesës së parë. Për rrjedhojë, pjesa e dytë nuk është luajtur dhe në këtë mënyrë gjyqtarët nuk e kanë vazhduar lojën pas dhunës së ushtruar ndaj tyre. Ndërprerja e ndeshjes, do të thotë se ndeshja do t’i jepet në tavolinë ekipit të Adës me rezultatin 3-0. Në momentin  ndërprerjes së lojës, në minutën e 43-të rezultati i ndeshjes ka qenë 1-1. Të parët kanë kaluar në avantazh velipojakët me anë të Selmanit në minutën e 8-të të ndeshjes dhe më pas ka barazuar Koreshi për vendasit. Dy minuta para përfundimit të pjesës së parë, ka patur një incident mes gjyqtarit dhe futbollistëve të Skraparit dhe për rrjedhojë ai u ka nxjerrë dy kartona të kuq. Ky veprim i ka irrituar shumë vendasit që kanë reaguar keq ndaj gjyqtarëve dhe në këtë mënyrë ata nuk kanë pranuar ta vazhdojnë më lojën. Që do të thotë se ndeshja do fitohet në tavolinë me rezultatin 3-0 nga Ada megjithëse për këtë pritet vendimi i Komisionit të Disiplinës. Me këtë trepikësh, Ada ngjitet në kuotën e 33 pikëve duke ndërruar vendet me Burrelin sepse tashmë vendi i tetë u takon velipojakëve.

www.shkodrasport.com