Nga Endri ÇINARI
Vllaznia do e rivijojë kampionatin e këtij sezoni në Superiore me ndeshjen ndaj Kukësit. Shkodranët do presin kuksianët në javën e 19-të të Superiores. Me duelin që do luhet ditën e dielë në orën 17:00, në stadiumin “Loro Boriçi”. Kuqeblutë patjetër që duan ta rinisin kampionatin aty ku e lanë në vitin 2023.
Mes rezultatesh shumë pozitive dhe vetëm në ngjitje në tabelën e klasifikimit. Edhe shifrat ndaj verilindorëve në sezonet e fundit janë shumë pozitive.
Kështu ekipi i Kukësit ka thuajse 4 vite që nuk fiton në Shkodër. Suksesi i fundit i Kukësit daton më 29.11.2020. Ku në javën e 5-të të edicionit 2020-21, fitonin 2-4 në “Loro Boriçi”.
Vendimtar në atë ndeshje për Kukësin ishte dopieta e Ibraimit, por edhe golat e Friday dhe Limajt. Të cilët bënë të pavlefshëm golat e Vllaznisë me Dungen dhe Hoxhajn. Që nga ajo ndeshje, në Shkodër, Vllaznia 2 barazime dhe 4 fitore ndaj bluve. Statistika që flasim totalisht në favor të ekipit kuqeblu, që patjetër do kërkojë ti pasurojë.
Një nisje me fitore e vitit sigurisht që do i jepte skuadrës një tjetër motivim. Para tifozëve shkodranë normalisht që kërkohet fitorja për ndeshjen e parë të vitit 2024.
Por duke mos nënvlerësuar në asnjë çast skuadrën kuksiane. Që nga ana e saj ka treguar lojëra të mira dhe përmirësim të rezultateve në ndeshjet e fundit të vitit 2023.