Shpërndahet Besëlidhja. Të martën e 10 majit 2022, skuadra nisi zyrtarisht pushimet verore. Se sa do të zgjasin, kjo nuk dihet. Vendimi do t’i takojë presidencës, pasi të mësohet se kur do të nisë sezoni 2022-2023.

Ky do të jetë edicioni i 15-të që i gjen lezhjanët në inferiore, me shpresën që do të jetë i fundit. E megjithatë, gjithçka varet nga merkatoja dhe buxheti.

Gara do të jetë edhe më e ashpër me Flamurtarin, Skënderbeun apo edhe Dinamon që ende nuk ka rënë matematikisht.E vetmja gjë që mund të thuhet me siguri, është se nga Lezha kanë nisur largimet. Mbrojtësi Nikolla Zerjal, mesfushori Sreçko Milivojeviç dhe sulmuesi Marko Jeremiç nuk do të jenë më pjesë e ekipit dhe këtë e konfirmon për “Panorama Sport” vetë Alban Bruka.

Në një deklaratë të dhënë për gazetën, trajneri i bën një rezyme kampionatit që sapo u mbyll, por flet edhe për të ardhmen. “Sezoni që sapo u mbyll, ishte ndryshe. Ndërtuam një ekip krejtësisht të ri dhe me futbollistë kryesisht lezhjanë, duke eksperimentuar. Kjo pati riskun e vet, por jam i kënaqur që mbijetuam mrekullisht.

Pas një faze të parë pa rezultate, e dyta solli ndryshim. Arritëm të kishim sukses, aq sa menduam edhe ngjitjen. E megjithatë, kishim deficit pikësh dhe devijuam rrugës. Dua të falënderoj presidentin Gjok Noka, që na ka mbështetur pa rezerva.

Tani them pa frikë se kemi ndërtuar një ekip që sezonin e ardhshëm do të jetë i denjë për objektiva madhorë. Kategoria e Parë do jetë më e vështirë, por kemi shpresa.

Nga sot (dje), ekipi është lënë pushim për t’u grumbulluar kur të shihet e arsyeshme. Besëlidhja është ndërtuar për perspektivën, ndaj veç serbëve, nuk do të ketë largime titullarësh. Sa u përket afrimeve është ende herët për t’u shprehur.
Do të flasim në të ardhmen kur të kemi lajme. Futbollistëve u uroj pushime të këndshme”, përfundoi tekniku.