Tashmë çdo gjë është e qartë sa i përket Vllaznisë: ajo ka dështuar në të gjitha drejtimet në këtë sezon futbollistik, edhe pse janë disa javë të tjera për t’u zhvilluar deri në fund të kampionatit. “kapakun” këtij dështimi ai vuri eleminimi në fazën e grupeve të kuqebluve, të cilët nuk arritën të grumbullonin pikët e nevojshme për të shkuar në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, që ka qenë objektivi primar i shkodranëve, që në fillim të sezonit. E pikërisht për këtë, në qytetin më të madh verior, që zgjodhen me futbollin dhe flejnë po me të, kërkojnë “fajtorët” e këtij dështimi. Të mërkurën, pas ndeshjes me Flamurtarin, kur edhe u “firmos” dështimi i Vllaznisë për këtë sezon, pasi u mund 1-0 në stadiumin “Loro Boriçi”, të gjithë po prisnin daljen e teknikut Rudi Vata në konferencë për shtyp, nuk ishin të pakët ata që thanë se trajneri i kuqebluve mund të jepte dorëheqjen, madje kishte nga ata që ishin pjesë e rëndësishme e klubit shkodran, e shprehën këtë gjë.

Ndërsa, ne gazetarët, respektuam rregullat, tekniku Vata doli në konferencë për shtyp dhe foli mbi arsyet e eleminimit të Vllaznisë nga Kupa e Shqipërisë, që sipas tij, ishte lodhja e tepërt, por fjala “dorëheqje”, jo vetëm që nuk u dëgjua, por edhe më pas as që u lakua, duke premtuar vazhdimin e punës. Ndoshta edhe vetë drejtuesit e klubit apo të bashkisë, të shprehur dhe në mënyrë konfidenciale, kanë pritur një reagim ndryshe të teknikut të tyre për këtë çështje, pas ndeshjes, por ata janë mjaftuar me heshtjen, duke mos reaguar apo duke mos dhënë asnjë prononcim për këtë çështje, qoftë dhe për vazhdimësinë. Në krahun tjetër tifozët e pakët në shkallët e stadiumin, në përballjen me vlonjatët, por edhe opinioni i gjerë, post-Flamurtari, në Shkodër kërkojnë përgjegjësit dhe fajtorët e këtij dështimi, ku thuhet se Vllaznia është klubi më korrekt në aspektin financiar në Shqipëri dhe në fakt ashtu është deri tani, sa i takon zbatimit të kontratave. Por edhe thirrjet e sportëdashësve në fund të ndeshjes me Flamurtarin:”Ik, ik…ik!, janë tepër domethënëse, ku një pjesë padyshim adresohet ndaj stafit teknik, por jo pa pak përgjegjësi janë edhe bordi drejtues i klubit të futbollit “Vllaznia sh.a.”, ku një pjesë e këtyre thirrjeve mund të kenë shkuar edhe për ta. Edhe pas më shumë se 24 orësh, pasi shkodranët kapitulluan pa kushte dhe në Kupë, ndërsa në kampionat, janë ende shumë larg, përsëri nuk ka një reagim të qartë. Nën zë, drejtuesit e Bashkisë, pohojnë faktin se Vata duhej të kishte dhënë dorëheqje, por realisht asnjëheri nuk e merr guximin për ta thënë publikisht këtë gjë, duke u bërë palë me dështimin, apo duke pritur që mediat ( gazetarët) të parat të japin sinjalin “SOS”. Ndërsa në krahun tjetër Rudi Vata, me plotë të drejtë, vazhdon punën si më parë, për t’u munduar të marrë c’të mundet nga pjesa e mbetur e sezonit. Tekniku në fjalë, prej pak kohësh i ka paraprirë këtij dështimi me deklaratat e tij, “se kjo Vllaznia nuk mund të shkojë në Europë”, por gjithçka ka kaluar, gjoja, si pa u vënë re dhe pa u dëgjuar nga personat kompetentë. E nëse kjo Vllazni ka dështuar për shumë faktorë të ndryshëm menaxherial, dikush përsëri duhet të mbajë përgjegjësi, që deri tani “fajtori” mbetet “jetim”. E gjithë kjo panoramë, jepet dhe preket fare qartë nga një opinion i gjerë në Shkodër, të cilit nuk i intereson fare individi apo ngjyra, por futbolli i qytetit të tij. ata presin një reagim të Bashkisë së Shkodrës, gjë e cila deri tani ka munguar. Kjo situatë duhet analizuar. Shkodra e ka bërë analizën apo “gjyqin” e saj. Tani duhet analizë më profesionale, nga njerëzit kompetentë dhe profesionistë.

Mejdan ZHIVANI