Nëse Kukësi vuan në këtë edicion në turnetë ndërkombëtarë mungesën e mbështetjes së tifozëve duke regjistruar një prani shumë të ulët në stadium të mbështetësve të tij, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për skuadrat që ka përballë.

Në “Loro Boriçi” tribuna ishte thuajse e boshatisur si me Valetën, ashtu edhe me Karabak, ndërsa në fushën kundërshtare, verilindorët duhet të përgatiten të shohin tribunat e mbushura.

Ndodhi në Maltë, ku fatmirësisht një pjesë e tribunës e mbush edhe nga emigrantët shqiptarë. Por në Baku, tribunat pritet të mbushen vetëm me tifozë vendas, shumë të tillë. Sipas informacioneve paraprake, deri dje janë shitur 10 mijë bileta për këtë ndeshje, ndërsa ka kërkesa për të tjera.

Sipas parashikimeve në mediat azere, priten rreth 15 mijë tifozë të pranishëm në stadiumin me kapacitet prej 30 mijë vendesh “Tofiq Bayramov”, për të mbështetur ekipin vendas që kërkon medoemos fitoren në këtë duel, pas barazimit 0-0 të ndeshjes së parë. /vipsport/