Vllaznia luajti kundër Realit të Madridit në ndeshjen historike për futbollin e Shqipërisë. Ky takim ishte i vlefshëm për grupet në Champions League dhe përfundoi 0-2. Shkodranet meritonin notën 10 për mënyrën sesi u mbrojtën në pjesën e parë, teksa madrilenet dukeshin si një ekip mesatar i Europës, pa bërë asgjë në fushë që të tregonin madhështinë.

Duhej të shihje fanellën për të kuptuar që bëhej fjalë për Realin e Madridit. Por cila ishte lojtarja që bëri përshtypje te Vllaznia? Media spanjolle “Relevo” ka shkruar një artikull të veçantë për Megi Doçin, ku mes të tjerash thonë se u ka ndryshuar mendimi.

“Isha shumë kurioz të shihja Megi Doçin duke luajtur. Shqiptarja duket si një yll i madh për Vllazninë dhe në paraqitjen e kësaj ndeshje zbulova një fakt mbresëlënës për të. Kishte shënuar 600 gola në 9 vitet e fundit. Ose, mesatarisht gati 70 gola në vit. U befasova nga shifra dhe mendova se ishte edhe e ekzagjeruar dhe rezultat i mungesës së nivelit të futbollit në Shqipëri.

Por duke parë si luajti, e kuptova pak më shumë se kush ishte Megi Doçi. Sulmuesja e Vllaznisë u kthye në mbrojtje, duke qenë çelësi për ndalimin e Atheneas në pjesën e parë.

Nga këpucët e saj dolën aksionet më të mira të skuadrës shqiptare dhe nuk do të habitesha nëse tashmë do të kishte një skaut që do të vinte në dukje emrin e saj. Është 26 vjeç dhe është një nga yjet e kombëtares shqiptare”, shkruhej në reportazhin e bërë nga “Relevo”. /Sport Ekspres/