Reklamat janë një nga burimet më të mëdha të të ardhurave në futboll, me yjet e mëdhenj, që paguhen dhjetëra miliona euro vetëm që të veshin rrobat apo këpucët e një marke të caktuar. Një nga lojtarët më të mirë të globit është padyshim Nejmar dhe një nga më të kërkuarit nga kompanitë sportive për reklamimin e veshjeve të tyre.

Që në adoleshencë Nejmar vishej vetëm me “Nike”, me kompaninë amerikane, që e kishte shndërruar në një nga imazhet kryesore brazilianin, bashkë me Kristiano Ronaldon. Megjithatë, para pak javësh braziliani vendosi ta ndërpresë kontratën me kompaninë amerikane dhe të bashkohet me “Puma”.

Kompania e njohur gjermane po punon fort për të rritur shitjet e saj në futboll, në mënyrë që të arrijë konkurentët e “Adidas” dhe “Nike”, që janë shndërruar në monopole të vërtetë thuajse në çdo sport. Me kontratën e re Nejmar do të jetë lojtari më i paguar nga një sponsor teknik në histori. Braziliani do paguhet 25 milionë euro në vit në kontratën e re.

Me këto arketime, ai lë pas Leo Mesin dhe Kristiano Ronaldon, të cilët paguhen disa milionë më pak se 28-vjeçari. Mesi merr rreth 20 milionë euro nga “Adidas”, ndërsa Ronaldo paguhet 17 milionë euro nga “Nike”, që është pranë humbjes së një tjetër lojtari me influencë, Rahem Stërling. Kujtojmë se me “Puma” më parë është veshur edhe Pele dhe Nejmar po lobohet shumë si pasardhës i tij në kompaninë e famshme. /vipsport/