Pasditen e nesërme në stadiumin “Loro Boriçi” do të luhet ndeshja e kthimit e turit të parë të Kupës së Shqipërisë në mes ekipeve të Vllaznisë dhe Butrintit të Sarandës. Ndeshja e parë siç dihet, është luajtur të mërkurën e kaluar në Sarandë dhe është fituar nga Vllaznia 3-2.

Golat për shkodranët në atë ndeshje u patën shënuan nga Gjini, Erkoçeviç dhe Danaj. Për ndeshjen e sotme, mendohet që trajneri Josa të hedhë në fushë formacionin e dytë duke i dhënë kësisoj hapësirë të rinjve për të parë edhe shkallën e përgatitjes së tyre dhe sa afër ekipit të parë janë. Lojtarët titullarë do ruhen sepse të dielën luhet një ndeshje shumë e rëndësishme ndaj Kastriotit në Krujë, ndeshje kjo e vlefshme për javën e katërt të kampionatit.