Trajneri i Vllaznisë në volejboll për meshkuj Artan Kalaj është shumë i zhgënjyer nga mënyra si po shkojnë punët me ekipin e tij e për më tepër edhe me volejbollin shqiptar në tërësi. Ai sheh t’i ikën sportistët e tij çdo ditë dhe është i pazot t’i mbajë. Klubi Vllaznia nuk ofron asgjë, trajtimet ushqimore janë shumë të vogla, më të voglat në Shqipëri, po ashtu me një vendim të Këshillit të Ministrave janë hequr edhe udhëtimet e dietat dhe në këtë situatë, volejbolli shkodran vuan. E thotë edhe vetë Kalaj këtë gjë kur deklaron: “Sportistët nuk mund t’i mbaj sepse ekipet e tjera u ofrojnë më shumë. Në Shkodër askush nuk po kujtohet për këto djem që sakrifikojnë e po ashtu edhe Bashkia e klubi Vllaznia nuk bëjnë asgjë më tepër nga sa kanë bërë më parë. Edhe në këto kushte, do mundohemi të jemi kompetitivë por sesa do mundemi, kjo duhet parë”. Por problemet e volejbollit nuk janë vetëm në Shkodër. Edhe në rrethe të tjera ka gjëra të tilla. Ekipi i Dinamos është shkrirë dhe nuk merr pjesë në kampionat e po ashtu edhe Flamurtari i Vlorës. Në kampionatin e ri do marrin pjesë vetëm 6 skuadra dhe kjo është një çështje për t’u ndalur sipas trajnerit të Vllaznisë Kalaja. “Po reduktohen ekipet, po punohet pak me moshat dhe nëse vazhdon kjo situatë edhe për dy vjet të tjera, volejbolli shqiptar mendoj se do hyjë në një krizë të thellë. Për ta shpëtuar këtë gjë, natyrisht njerëzit që e drejtojnë sportin duhet të ndërmarrin një reformë të thellë, ndryshe do jetë shumë e vështirë ta mbajmë këtë sport”- ka thënë ai.