Neymar Junior, një lojtar i ri i Al-Hilal, ka shpjeguar vendimin e tij për t’u larguar nga Paris Saint-Germain për të nënshkruar me skuadrën nga Arabia Saudite në një transferim që mund të kalojë 80 milionë euro.Ylli brazilian nënshkroi një kontratë prej dy sezonesh për të mbledhur një total prej 200 milionë eurosh vetëm nga fusha.

Megjithatë, përfitimet e Neymar mund të arrijnë në më shumë se 350 milionë euro nëse shtojmë koncepte reklamimi dhe shumë bonuse tjera.

Për transferimin e tij, Neymar foli për faqen zyrtare, ku u shpreh i lumtur me sfidën e re, por kishte edhe diçka tjetër që e tërhoqi të transferohet në Arabinë Saudite.

Bëhet fjalë për ish-rivalin e tij, pesë herë fituesin e Topit të Artë, Cristiano Ronaldo, i cili sipas Neymar pati një rol të madh në këtë transferim.

“Cristiano Ronaldo ishte pionieri i gjithë kësaj, të gjithë e quanin të çmendur”, ka thënë fillimisht Neymar.

“Erdhi ky dhe sot sheh ligen e Arabisë Saudite që po rritet gjithnjë e më shumë. Unë jam këtu për të ndihmuar ligën të rritet gjithnjë e më shumë.”

“Jam i lumtur që gjej lojtarë cilësorë në skuadrat e tjera, kjo është emocionuese. Kur të përballem me Cristiano Ronaldon, Benzemën, Firminon, emocionet do të jenë edhe më të mëdha”.

“Kështu që jam shumë i lumtur që i bashkohem kësaj lige dhe jam i sigurt se përballja me ta do të jetë e mrekullueshme”, përfundoi ylli i ri i Al Hilal. /Telegrafi/