Drejtori i Akademise Vllaznia, Alban Neziri, mendon se ka ardhur koha që Shqipëria të ketë një ndryshim në drejtim. Në emisionin “SportZone” në MCN TV, Neziri deklaroi se Reja duhet të marrë përgjegjësitë dhe tha se do të dëshironte që drejtimi i Kombëtares, t’i besohet një trajneri shqiptar.

I pyetur, nëse te Shqipëria duhet të grumbullohen më shumë lojtarë nga Superiorja, Neziri u shpreh se Erdenis Gurishta, Ardit Krymi e Julian Shehu e meritonin ftesën nga trajneri Reja.

Duhet të kemi një ekip të bashkuar. Reja është një trajner i madh, por nuk shikojmë ndryshim në rezultate. Nëse trajneri nuk arrin kushtet tona, atëherë të japë dorëheqjen, nuk kemi çfarë të presim më, sepse kemi një nga ekipet më të mira. Ky është një ekip shumë i mirë dhe ndoshta duhet një trajner shqiptar, për t’i marrë maksimumin skuadrës. Mendoj se ka ardhur koha për një trajner shqiptar.

Asnjë ekip në këtë moment, nuk është në maksimum. Çdo ekip ka 2-3 mungesa. Reja duhet të marrë përgjegjësinë për këtë grup, sepse kemi lojtarët më të mirë të viteve të fundit. Ky është një brez nga më të mirët në histori. Kam dëshirën që të shikoj një trajner shqiptar.

Me aq sa kam parë te Reja, ka dëshirë të eksperimentojë në formacion. Më vjen keq, sepse janë dy pikët të lëna në ndeshjen e djeshme. Izraeli është një ekip më i fortë se Islanda. Dukemi si kritikë, por e bëjmë sepse duam të mirën e ekipit. Duhet një ndryshim në drejtimin e kombëtares.

Gjimshiti është një nga më të mirët. Nuk e kemi pasur kurrë luksin të pretendojmë në Europë. Vendi i parë duhet të jetë i padiskutueshëm në Ligën e Kombeve. Kemi një brez shumë të mirë dhe duhet ta shfrytëzojmë në maksimum.

Jam i bindur që Krymi dhe Gurishta te Vllaznise dhe Shehu i Laçit duhet të ishin pjesë e Kombëtares. Krymi ka firmosur në Bjellorusi dhe pas 2 muajve do ftohet në Kombëtare. Seferi është një lojtar shumë i mirë”- eshte shprehur Neziri.