Ish-kapiteni i Vllaznisë dhe një nga lojtarët që në vitin 2008 ishte autori i një prej golave që sollën triumfin në Kupën e Shqipërisë të atij viti ka folur për suksesin e ekipit shkodran. Ai, pavarësisht se ka pasur më shumë pritshmëri nga skuadra në kampionat, arritja e fitimit të Kupës, i jep të drejtë Vllaznisë dhe drejtuesve të saj që ta quajnë një sezon të mirë këtë të sivjetshmin.

Por ish-kapiteni ka vënë theksin edhe tek ajo që pret nga drejtuesit për sezonin e ri. Ndër të tjera në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport” Lika ka përshëndetur edhe ekipin kampion të U-17 të akademisë Vllaznia, duke bërë edhe një apel publik për klubin.

Si e përshkruani këtë sezon të Vllaznisë?

Këtë vit ekipi pati ulje-ngritjet e veta në kampionat dhe nuk mori atë që deshi në fillim të sezonit. Por unë mendoj se sezoni duhet të quhet i suksesshëm, pasi Vllaznia arriti të fitonte Kupën dhe të siguronte Europën në mënyrën më të mirë të mundshme.


Sa ndikim pati profesor Mireli në këtë sukses?

Profesor Mireli mendoj se ishte zgjidhja më e mirë e mundshme që bëri Vllaznia. Kam shumë besim se ka për të bërë më të mirën në Shkodër, pasi edhe respekti që Shkodra ka për të është shumë i madh. Një ditë e takova në stadium para finales dhe i thashë se vetëm një trofe i mungon me ekipin e Vllaznisë dhe tani ka ardhur koha ta marrë atë dhe ia arriti një gjëje të tillë. Mendoj se kishte pa diskutim dorën e tij në këtë trofe. Tani i uroj që të marrë edhe shumë trofe të tjerë me këtë fanellë. Pa diskutim që të kthejë pas shumë vitesh titullin e kampionit në Shkodër.


Ai bëri maksimumin…?

Pa asnjë diskutim që po. Kishte shumë pak ndeshje në dispozicion edhe të gjithë e dimë që për 2-3 ndeshje një trajner nuk mund të bëjë ndryshimin. Megjithatë, me eksperiencën e tij arriti që të kishte ndryshim të skuadra për aq pak ndeshje.

Çfarë prisni se do të rregullohet për të ardhmen?

Tani, të jem i sinqertë, pres një merkato shumë cilësore. Mendoj se ka ardhur koha që të krijohet një grup afatgjatë që të bëjë diferencën disavjeçare në kampionatin shqiptar. S’ka dyshim tashmë që gjithë Shkodra pret me padurim titullin e shumëmunguar.

Duhet të shikohet edhe nga akademia që të ndërthuren brezat e të arrihet ajo që ju thatë?

Meqenëse m’u dha rasti, dua të uroj ekipin kampion të 17-vjeçarëve të akademisë. Pa dyshim që drejtuesit duhet që ta kenë vëmendjen edhe nga grupmoshat. I kam ndjekur me shumë dëshirë ekipet e moshave dhe mund të them se grupi i 17-vjaçarëve që dolën këtë vit kampion është një grup shumë i veçantë dhe ka shumë ndeshje që i kam ndjekur. Nëse në shumë vite në çdo grupmoshë ka pasur 2-3 lojtarë që binin në sy, te ky grup është diçka e veçantë sepse janë 6-7 lojtarë me cilësi shumë të mira dhe për më tepër të shpërndarë në të gjitha repartet.

Prandaj, thirrja ime, kësaj here publike, për drejtuesit është që t’i kushtohet një vëmendje e veçante te këta djem, sepse për 4-5 vite jam i bindur që ekipi i parë do të ketë në përbërjen e tij një grup që mund të sjellë shumë trofe në këtë qytet që jeton me sportin e sidomos futbollin. Nëse trajtohen ashtu siç duhet, ky grup mbas 4-5 vitesh do të vlej më shumë se 1 milion euro.