Pas përfundimit të negociatave për rikthimin e Brahim Diazit, Milani është gjithmonë në kërkim të një fantazisti shtesë për të zëvendësuar tashmë ishin Hakan Calhanoglu, në mënyrën më të mirë të mundshme. Kuqezinjtë kanë nevojë për një lojtar me imagjinatë e që di të lëvizë në mes të linjave të mesfushës dhe mbrojtjes kundërshtare. Për lojën që Stefano Pioli hartoi në sezonin e kaluar, mesfushori sulmues është një rol themelor. Kjo është edhe arsyeja pse “Djalli” nuk do të jetë në gjendje të lërë të gjithë peshën e rolit pothuajse në 22- vjeçarin Diaz (ai do të mbushë 22 vjeç më 3 gusht).

NË ORBITËN KUQEZI – Emri i fantazistit që do të luajë pas shpinës së Zlatan Ibrahimoviçit ose Olivie Zhirusë është ende një rebus i vërtetë. Ka shumë lojtarë që e pëlqejnë dhe janë të interesuar për Milanin. Paolo Maldini dhe bashkëpunëtorët e tij po testojnë terrenin mirë për secilin prej tyre, në përpjekje për të marrë atë që mund të japë më shumë garanci me koston më të ulët të mundshme, pasi nuk duhet harruar se deri në këtë moment janë shpenzuar mbi 60 milionë euro në merkato.

Midis kandidatëve të kualifikuar për të qenë te Milani janë Zieh i Çelsit, Kutinjo në dalje nga Barça, Josip Iliçiç i Atalantës, Isko me rrogën e tij të lartë dhe Marsel Sabicer për të cilin Lajpcigu kërkon të paktën 20 milionë euro edhe pse ai është në vitin e fundit të kontratës. Nuk duhet harruar kurrsesi Nikola Vlasiç, për të cilin kuqezinjtë kanë lëvizur më së shumti, duke arritur madje të ofrojnë 25 milionë euro, të cilat u refuzuan nga CSKA e Moskës që ngulmon për 30 milionë.

ÇËSHTJE PARASH – Marrëveshja më e realizueshme, nga këndvështrime të ndryshme, është Iliçiçi. Kostoja e kartonit dhe pagës do të ishte mjaft e ulët. Në avantazh të tij është edhe fakti që ai e njeh mirë Serinë A, por ekziston problemi i moshës, pasi slloveni po u afrohet 35 viteve. Për emrat e tjerë, klubi po kërkon marrëveshje, por në kohë krize asgjë e lidhur me paratë nuk është e lehtë.

Vendimet kanë të bëjnë me lojtarët dhe vullnetin e tyre për të ulur pagat, që emra të rëndësishëm si Zieh, Kutinjo apo Isko i marrin në klubet përkatëse. Matia Zakanji i Veronës dhe Mateo Pesina i Atalantës duket se kanë dalë nga radarët kuqezi teksa pikërisht një muaj para fillimit të kampionatit 2021/2022, Milani po kërkon një fantazist për të ndarë punën me Diazin, i cili do të luajë ndonjëherë edhe si sulmues anësor. Pioli nuk po ngutet për momentin, por shpreson të ketë në dispozicion skuadrën e plotë sa më shpejt të jetë e mundur.