Kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj sivjet mund të jetë një nga më të fortët e të gjithë këtyre viteve të fundit. Gara është e madhe jo vetëm për titullin kampion, por madje edhe për të luftuar për të mos rënë nga kategoria.

Ndër katër ekipet e para që luftojnë për titull, më e favorizuar duket Teuta kampione në fuqi megjithatë nuk mbeten pas edhe Goga Basket apo Partizani ndërkohë që shanset për Tiranën kanë rënë. Interesant është fakti se edhe Kamza e Vllaznia, dy skuadrat që kanë qenë në vendet e fundit, kanë filluar të lëvizin.

Kamza ka marrë dy amerikanë ditët e fundit por edhe Vllaznia po lëviz dhe ka marrë një trajner kroat dhe tre basketbollistë amerikanë. Gara po bëhet gjithnjë e më e fortë dhe këtë e tregon fakti se në Shqipëri që nga dita e djeshme është rikthyer edhe një tjetër basketbollist shumë i njohur.

Bëhet fjalë për Nikolla Gjokoviç, malazezin që u bë i njohur pak vite më parë për Vllazninë me të cilën u shpall dy herë kampion. Ai u pat kthyer në idhullin e tifozëve shkodranë por për fat të keq, Gjokoviç këtë herë nuk ka ardhur në Shqipëri për llogari të Vllaznisë.

Mësohet se malazezi i është bashkuar ekipit “Goga Basket” sepse ka qenë një kërkesë e trajnerit të kësaj skuadre për ta patur me çdo kusht në skuadër, që ka vënë në lëvizje drejtuesit e klubit dhe ata e kanë zyrtarizuar. Mbase do kishte qenë më mirë që Gjokoviç të vinte tek kuqeblutë por tashmë ky është realiteti.
© shkodrasport.com