Shënkolli i shkoi shumë afër por i takoi Ilirisë që t’i shkaktonte humbjen e parë Vllaznisë në këtë kampionat. Fushëkrujasit kanë arritur të fitojnë pasditen e djeshme me rezultatin 1-0 falë golit të shënuar nga Zuna në pjesën e dytë dhe kuptohet që ata janë shumë të gëzuar.

Në Shkodër ndërkohë kanë filluar akuzat rreth skuadrës duke e quajtur një turp humbjen në këtë takim. Megjithatë trajneri i Ilirisë Fatmir Sala nuk mendon kështu. Sipas tij, skuadra që ai drejton e meritoi plotësisht fitoren sepse tregoi më shumë dëshirë dhe impenjim në fushën e lojës.

“E kishim vlerësuar jashtëzakonisht shumë këtë takim duke parë që Vllaznia pavarësisht se është në kategori të parë, ka në përbërje të saj lojtarë të cilët kanë luajtur gjatë të gjithë kohës në Superligë.

I dhamë udhëzimet e duhura skuadrës, u futëm në fushë me një mobilizim të jashtëzakonshëm dhe ia arritëm qëllimit që ta fitojmë këtë ndeshje me mund e me djersë. Besoj se e kemi merituar plotësisht këtë fitore”- është shprehur Sala.
© shkodrasport.com