Ditën e sotme ka nisur në Shkodër një turne i titulluar “100 Vjetori i Pavarësisë” me pjesmarrjen e katër ekipeve tëfutbollit të femrave.  Këto ekipe janë pikërisht The Door, Kamza, Breshia dhe Kaçaniku i Kosovës. Sipas një shorti të hedhur direkt në një studio televizive të TV Rozafa paraditen e sotme, ekipi italian i Breshias është ndeshur me ekipin kosovar të Kaçanikut. Vajzat e ardhura nga Italia kanë fituar thellësisht 5-0 duke fituar të drejtën për të dalë në finale. Në ndeshjen tjetër, ekipi The Door ka mundur atë të Kamzës me rezultatin 3-0. Në këtë mënyrë, dy finalistët e këtij turneu do jenë ekipi vendas The Door dhe ai italian i Breshia i ardhur posaçërisht për pjesmarrjen në këtë turne të rëndësishëm ndërkombëtar të futbollit të femrave. Dita e sotme është shoqëruar edhe me një ceremoni interesante ku ekipet pjesmarrëse i ka përshëndetur administratori i klubit Vllaznia Kujtim Shaba. Ndërkohë, nesër në ndeshjen finale, do të asistojë edhe trajneri i ekipit kombëtar shqiptar të futbollit të femrave Altin Rraklli. Aktiviteti i mësipërm është organizuar nga shoqata “The Door” me sponsorizimin e firmave  “Sabina” sh.p.k, “Tradita” dhe të biznesmenit Gëzim Gruda. Ndërkohë po ndihmojnë në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti edhe gjyqtarët e kolegjiumit të Shkodrës Ditmar Jubica, Fatjona Borova, Said Ahmeti, Sonil Zeka, Nikolin Sterkaj, Dritan Salaj dhe Fisnik Thorja.
www.shkodrasport.com