Eldorian Hamiti do të jetë arbitër kryesor në ndeshjen Tirana – Partizani. Burime për newsport.al bëjnë me dije që gjyqtarit të kolegjiumit të Lezhës i është besuar kjo supersfidë e javës së gjashtë të Superiores.

Eksperienca e tij në ndeshje të tilla, si dhe stema e FIFA-s e bëjnë atë të duhurin për të drejtuar këtë derbi që nuk luhet vetëm për rezultatin, por edhe për prestigjin e dy skuadrave.

Të njëjtat burime bëjnë me dije që në dhomën e sistemit VAR do të jetë një tjetër arbitër me eksperiencë. Kridens Metës i është besuar të “komandojë” nga VAR-i, i cili dy sezone më parë ishte dëshmitar në fitoren e Partizanit që siguroi matematikisht titullin kampion. Kjo sfidë do të luhet në stadiumin “Air Albania”, në orën 19:45.

Tirana gjendet në vendin e parë me 11 pikë, ndërsa Partizani në vendin e tetë me 4 pikë. Një triumf i mundshëm i bardhebluve, do të thellonte krizën e të kuqve, ndërsa një fitore e Partizanit do të kthente për mirë situatën e vështirë që ka përfshirë 16-herë kampionët e Shqipërisë. /Newsport/